Dënohet kush luan me rezerva ndaj Bayernit

375

Historikisht Bayerni i Munichut ka qenë klubi më i fuqishëm në Gjermani, por vitet e fundit hendeku është thelluar jashtëzakonisht, aq sa Bundesliga duket si një stërvitje për bavarezët.

Aq i madh është disniveli, saqë po shohim gjithnjë e më shumë klube që kur përballen kundër Bayernit, nuk angazhohen në maksimum ose lënë pushim lojtarë, duke menduar për ndeshjen pasardhëse.

Rasti më flagrant ishte një ndeshje mes Bayernit e Darmstadit para pak muajsh, me Darmstadin që la pushim thuajse gjithë titullarët, duke menduar për ndeshjen pasardhëse, që ishte e rëndësishme në garën për mbijetesë.

Tani vjen edhe çudia, sepse presidenti i Ligës së Futbollit në Gjermani, Kristian Zajfert, kërcënon: “Një gjë e tillë është e patolerueshme, shtrembërim i futbollit dhe mungesë respekti për tifozët dhe sponsorët”.

“Prej sezonit të ardhshëm do të marrim masa të ashpra ndaj klubeve që nuk japin maksimumin dhe ruajë lojtarë kur ndeshen me Bajernin”. Gjithsesi, Zajfert nuk ka treguar se çfarë masash do të merren dhe është pak absurde si deklaratë, sepse askush nuk i detyron dot klubet të luajnë me një formacion të caktuar dhe askush nuk arrin ta bëjë dallimin nëse një skuadër ka dhënë maksimumin apo jo, sepse kundër Bayernit edhe një humbje e thellë nuk do të thotë që ka pasur mungesë angazhimi.