De Biazi ndryshon skemë, luan në sulm ndaj Maqedonisë

Kombëtarja kuqezi është gati për kualifikuesen e parë, në Grupin G, në kuadrin e “Rusia 2018”. De Biazi dhe të tijtë do të rikthehen në veprim, për herë të parë në një ndeshje zyrtare, pas pjesëmarrjes historike në finalet e “Euro 2016”. Një kapitull i ri nis për kuqezinjtë, të cilët do të zhvillojnë njëfarë derbi sonte, në orën 20:45, në “Loro Boriçi”. Përballë Maqedonisë, që renditet dukshëm më poshtë se Shqipëria në klasifikimin përkatës të FIFA-s, por me një të shkuar aspak pozitive në përballjet me të, të gjitha miqësore, përfaqësuesja jonë duhet të tregojë se vajtja në turneun e Francës nuk ishte rastësi, as kombinim i disa situatave të tjera jashtë fushës së blertë, shkruan Tele Sport.

Klauzolata e çmendur: Juve duhet t’i blejë një shtëpi 5 milionë € PogbaDe Biazi ka vijuar të jetë diskret në lidhje me formacionin, duke i dhënë vlerësim maksimal kundërshtarit dhe sfidës. Stërvitja e fundit, e zhvilluar mbrëmë në “Loro Boriçi”, ku nuk mungoi një ndeshje brenda grupit, 11 kundër 11, larg syrit të medias, duket se ka skalitur shumë gjëra në mendjen e De Biazit, si skemat taktike, ashtu edhe lojtarët që do ta nisin nga fillimi. Sa i përket formacionit, Berisha me siguri është titular. Mbrojtja do të rreshtohet me katër; Hysaj nga e djathta, Mavraj dhe Gjimshiti në qendër, Agolli në të majtë. Në mesfushë kanë qenë edhe dilemat më të mëdha të De Biazit.

Ndonëse mund të ketë ndonjë surprizë, pritshmëritë janë që në qendër të këtij reparti ta nisin Abrashi me Memushajn, ndërsa Hyka do të luajë në të majtë, duke fituar balotazhin me Lenjanin, djathtas do të spostohet Taulant Xhaka. Në sulm, me qëllim që të gjendet sa më shpejt goli, të zhbëhet ngërçi i mungesës së finalizimit, mund të luhet me 2 lojtarë. Ata pritet të jenë Sadiku dhe Cikalleshi, me Balajn të gatshëm për t’u hedhur nga stoli, nëse gjërat nuk funksionojnë. Pra, skema e kuqezinjve pritet të jetë 4-4-2, që mund të ndryshojë në varësi të situatave dhe të rrjedhës së lojës.