Daçiç përplaset me Çitakun në OKB: Ju keni një vend të shqiptarëve që quhet Shqipëri

97

Debat i ashpër mes ambasadores së Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Në fjalën e tij, kryediplomati serb, iu referua Kosovës me “Kosovë e Metohi” dhe Çitakut, si përfaqësuese e “institucioneve të përkohshme të Kosovës dhe Metohisë”, percjell Klan Kosova.

Ai foli për serbët në Kosovë duke thënë se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është institucion për realizmin e të drejtave themelore të serbëve të Kosovës.

Daciç tha se formimi sa më i shpejtë i asociacionit siguron zbatimin e marrëveshjes së arritur në Bruksel mes të dy palëve.

I ashpër tingëlloi kur iu kundërpërgjigj ambasadores Çitaku, e cila ia rikujtoi se Kosova është shtet i pavarur.

“Kosova nuk është e shqiptarëve. As e jotja as e imja. Është e qytetarëve që jetojnë atje, e aty ka serbe dhe shqiptarë. Ju keni një vend të shqiptarëve që quhet Shqipëri”, tha Daçiç.

Ai tha se Kosova nuk është e pavarur, sepse sipas tij, po të ishte e tillë, nuk do të nënshkruante marrëveshjen për MSA-në si territor, por si vend.

Ai madje falënderoi të gjitha vendet që nuk e kanë njohur Kosovën.

Ndërsa ambasadorja Vlora Çitaku tha se Kosova do të bëjë çdo gjë që të ketë flamurin në të gjitha organizatat ndërkombëtare.

“Do të zbatojmë marrëveshjet në Bruksel por jo në dëm të funksionaliteti të shtetit tonë. Ne jemi për pajtim. Por pajtimi nuk mund të ndërtohet në mohim. Ai mund të ndërtohet nëse ne shikojmë përpara dhe shikojmë të kaluarën pa frikë, edhe pse për disa ky shikim mund të jetë i turpshëm”, tha Çitaku.

Çitaku ka kujtuar luftën dhe terrorin në Kosovë, gjatë luftës. Ajo përmendi edhe viktimat e dhunës seksuale, për të cilat kërkoi drejtësi.