Çudia e futbollit shqiptar/ Paguhet 8 mijë euro në muaj, milioneri nuk luan asnjë minutë

Foto: Futbollistët e Partizanit para ndeshjes

Duket e pabesueshme, por re zulton e vërtetë ajo që po ndodh te Partizani, ku një nga lojtarët më të paguar të ekipit, akoma nuk ka debutuar në Kategorinë Superiore. Pikërisht bëhet fjalë për mesfushorin Tijan Jaiteh, i cili iu bashku të kuqve në merkaton e dimrit.

Mëkatet dhe rrogat thuhet se nuk tregohen, aksiomë e cila zbatohet me përpikmëri te Partizani. Gjithsesi, flitet se Tijan Jaiteh është lojtari më i paguar i “demave” me 8 mijë euro në muaj. Por çudia nuk ka të sosur me këtë lojtar, që erdhi me parametra të lartë dhe me 20 ndeshje me kombëtaren e Gambias, akoma nuk ka luajtur asnjë minutë me ekipin e parë.

Nuk dihet se sa do të vonojë debutimi i mesfushorit 30-vjeçar, i cili mbërriti te Partizani pas një periudhe të gjatë pa u aktivizuar dhe kondicioni i tij fizik ka qenë ai që nuk ia ka mbushur mendjen akoma trajnerit Skënder Gega që ta hedhë në fushë. Stafi po mundohet që ta ingranojë gambianin nga ekipi B, ku po aktivizohet në Kategorinë e Dytë.

fbvfv

Për shkak të mungesave që ka pasur skuadra gjatë kësaj kohe, Jaiteh është grumbulluar në javët e fundit nga trajneri Gega, por është mjaftuar thjesht duke parë ndeshjen nga stoli, si dhe duke përshëndetur tifozët nga fusha në përfundim të sfidave.

MERKATO BLOF- Prurjet e janarit kanë rritur shpenzimet te të kuqtë, por nuk bëhet fjalë për përforcime apo rritje cilësie te Partizani. Nuk është vetëm Tijan Jaiteh ai që ka rezultuar blof në merkaton e dimrit, pasi edhe të tjerët mund t’i fusësh në një “thes”. Alesio Hyseni, Lum Rexhepi, Dilaver Duka, Hektor Idrizaj, Kevin  Mombilo dhe Tijan Jaiteh ishin përforcimet e janarit. Jaiteh nuk është i vetmi, pasi edhe Hyseni s’ka debutuar me ekipin e parë, pasi ka probleme dëmtimi.

partizani

Mombilo debutoi në Kupë ndaj Kastriotit, pastaj humbi duke e mbyllur sezonin për shkak të një lëndimi në këmbë. Më i pafati ka qenë Hektor Idrizaj që theu kupën e gjurit në derbi. Lum Rexhepi e nisi mbarë duke bërë një paraqitje pozitive në start me Skënderbeun, por më pas ka ardhur në rënie, ku më shumë shquhet për koleksionim kartonësh.

I vetmi nga prurjet e dimrit që ka arritur të japë diçka te Partizani është Dilaver Duka, i cili erdhi jashtë forme, por aktualisht po tregon rritje. Në dimër të kuqtë spastruan mbrojtjen. Aty ishin largimet dhe tani kanë mbetur të zbuluar në këtë repart, pasi nuk kanë alternativa dhe po modifikojnë mbrojtës.