Çitaku i kënaqur, Krasniqi befasohet me mentalitetin e Lirisë

Trepça ’89 mundi Lirinë 2:0 në ndeshjen hapëse të javës së gjashtë të Vala Superligës.

Pas ndeshjes, trajneri i 89-shit, Veton Çitaku pohoi se fitorja nuk u arrit lehtë pavarësisht asaj se është i kënaqur me tri pikët e arkëtuara.

“Fitore e vështirë. Liria është skuadër që di të luajë në Mitrovicë dhe ia do në këtë stadium. Ne ishim duke avancuar 2:0, por ky rezultat në futboll është i papërshtatshëm dhe për këtë iu kam thënë edhe futbollistëve. Por, ata zbatuan mirë detyrat në fushë dhe realizuam një fitore të merituar”, tha Çitaku për mikrofonin e SuperSport, transmeton Gazeta Sheshi.

Nga ana tjetër, “timonieri” i Lirisë, Ramiz Krasniqi vë në pah atë që po iu ndodh në tri ndeshje, lojën e plogësht të futbollistëve të tij në pjesën e parë.

“Kjo situatë po na ndodh për herë të tretë. Pjesa e parë e plogësht, futbollistët kanë njëfar frige. Një mentalitet i çuditshëm. Në pjesën e dytë pasi po i marrim golat po mundohemi ta kompensojmë lojën edhe pse po është shumë e vështirë”, pohoi Krasniqi.

“Megjithatë, me disa ndërrime erdhëm deri te pentallia, por siç shihet nuk po na do. Trepça i ka shfrytëzuar momentet e saj dhe ishte një fitore e merituar e saj”.

Krasniqi përmendi edhe faktin se terreni në Prizren që është me bari sintetik po iu pengon shumë, pasi futbollistët nuk po luajnë lojën e tyre kur po dalin jashtë Prizreni në terrene me bari artificial.