Challandes nis të flasë për kualifikimin në Evropian

Kur mori drejtimin e Kosovës në mars të këtij viti, trajneri me përvojë nga Zvicra, Bernard Challandes, nuk paraqiti ndonjë synim të qartë.

Në paraqitjet e tij të shpeshta publike, Challandes vazhdimisht ka refuzuar të flasë për ndonjë synim të madh, duke folur kryesisht për ndeshjen e radhës. Por së fundi Challandes ka nisur të lëshojë pe dhe t’i përgjigjet në një mënyrë euforisë që është krijuar rreth përfaqësueses së futbollit në vend. Në një intervistë që të martën ka dhënë për gazetën zvicerane “Le Matin”, Challandes ka folur për mundësinë e kualifikimit të Kosovës në “Euro 2020”.

“Do të jetë shumë vështirë të kualifikohemi në Evropian përmes plejofit. Është një proces emocionues. Nëse ia dalim të luajmë në gjysmëfinale në mars të vitit 2020, i tërë vendi do të nisë të mendojë për Evropian. Të jemi në Evropian, do të jetë e jashtëzakonshme për Kosovën”, ka thënë Challandes, transmeton Koha Ditore.

Kosova duhet të mbajë vendin e parë në grupin 3 të Ligës D të Ligës së Kombeve që të sigurojë plejofin e Ligës D. Në plejof do të luajë nëse fiton grupin dhe nëse në Evropian nuk kualifikohet përmes kualifikimeve të rregulla. Në plejof pritet të luajnë fituesit e katër grupeve të Ligës D. Do të luhen dy gjysmëfinale dhe finalja, në mars të vitit 2020.

Fituesi i plejofit kualifikohet për Evropianin e vitit 2020, që është mënyrë dukshëm më e lehtë se përmes kualifikimeve të rregullta. Kosova prin në grupin 3 me tetë pikë nga katër ndeshje. I dyti është Azerbajxhani me gjashtë pikë, Ishujt Faroe mbajnë vendin e tretë me katër, kurse Malta është e fundit me dy pikë.