Burg dhe konfiskim të pasurisë për të akuzuarit e prostitucionit në “Nata”

88

Gjykata Themelore në Ferizaj ka dënuar me 13 vjet burg tre persona për mundësim të prostitucionit dhe shpëlarje të parave. Po ashtu Gjykata ka marrë vendim që të akuzuarve t’u konfiskohet pasuria në vlerë prej 1.5 milionë euro.

A.A, I.R dhe A.Xh, akuzohen për organizim të rrjetit të prostitucionit në motelin “Nata”. Përveç organizimit të prostitucionit, të pandehurit janë ngarkuar edhe me veprën penale shpërlaje e parave dhe krim i organizuar, njofton Gjykata Themelore në Ferizaj.

“Trupi Gjykues i Departamentit për Krime të Rënda, në Gjykatën Themelore në Ferizaj, i kryesuar nga gjyqtari Agim Maliqi, të hënën 4 prill 2016, shpalli aktgjykimin ndaj të pandehurit A.A, I.R dhe A.Xh, të cilit në bazë të aktakuzës së Prokurorisë së EULEX-it, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale mundësimi i prostitucionit, shpërlaje e parave , si dhe për veprën penale krimi i organizuar”, thuhet në një njoftim të Gjykatës Themelore.

A.A është shpallur fajtor dhe është dënuar me gjashtë vjet burg dhe dënim me gjobë prej 50 mijë euro, I.R, është dënuar me tri vjet e gjysmë burg dhe me 20 mijë euro ndërsa A.Xh, është dënuar me tri vjet e gjysmë burg dhe me 20 mijë euro.

Të tre të akuzuarit janë liruar nga akuza për krim të organizuar.

“Të pandehurit akuzohen se nga muaji shkurt 2005 deri në maj 2012, në bashkëkryerje kanë organizuar rrjetin e prostitucionit në një motel në fshatin Prelez i Muhaxherëve – Komuna e Ferizajt, i cili ka punuar me emra të ndryshëm, dhe me pronar të ndryshëm ashtu që organizimi është bërë në atë mënyrë që të pandehurit u kanë dërguar të holla femrave në Ukrainë, e të cilat pasi që janë regjistruar në Kosovë kinse punojnë në cilësinë e kamerierëve, kanë ushtruar veprimtarinë e prostitucionit, me çka ka rezultuar që të pandehurit kanë përfituar një shumë të madhe parash të cilat i kanë konvertuar në blerjen e pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme përkatësisht duke bërë shpëlarjen e këtyre parave nga veprimtaria e jashtë ligjshme”, thuhet tutje në njoftim.

Trupi Gjykues ka vendosur që të akuzuarve t’iu vazhdojë masë e paraburgimit, që do të zgjasë derisa aktgjykimi të merr formën e prerë, veçse jo më shumë sesa koha e dënimit të shqiptuar me këtë aktgjykim.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 15 dite, nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt. /KosovaPress/.