Bruksel, aksion në lagjen Schaerbeek, policia qëllon xhihadistin

149

Një person është arrestuar këtë të premte në lagjen Schaerbeek të Brukselit, në një operacion të policisë belge.

Personi, ndryshe nga sa u tha më herët nëpër media, nuk është i shumëkërkuari Mohamed Abrini, bashkëpunëtor i Salah Abdeslam.

Sipas të dhënave të fundit, personi i dyshuar është qëlluar nga policia në përpjekje për t’u larguar dhe si pasojë ka mbetur i plagosur tek këmbët.

Megjithatë, i ndaluari, sipas autoriteteve belge, është një “peshk i madh” në rrjetin e xhihadistëve përgjegjës për sulmet e pak ditëve më parë në Bruksel.

Operacioni i zhvilluar në Schaerbeek është i lidhur me një aksion të ngjashëm të zhvilluar një ditë më parë në Paris, që çoi në parandalimin e një atentati.

Gjatë operacionit të sotëm, tregtarët e zonës kanë deklaruar për mediat se janë trembur nga të shtënat dhe një shpërthim që është dëgjuar përreth.