Boshnjaku pret ftesë nga Gjermania

FC Prishtina të hënën u kthye në Kosovë nga Gjermania, ku gjatë ditëve që lamë pas mori pjesë në katër turne shumë atraktivë, në futboll të vogël, të cilët janë përcjellë me interes jo vetëm nga numri i madh i shikuesve dhe medieve, por edhe nga skautë të shumtë të klubeve të mëdha e të njohura gjermane.

Mirëpo, ekspedita e FC Prishtinës u kthye me më pak lojtarë në Kosovë në dallim prej numrit që kishin shkuar.

Kjo pasi pesë futbollistë të saj i ndali në prova klubi i famshëm gjerman, Greuther Furth.

Blend Baftiu, Bleon Sekiraqa, Kastriot Selmani, Gauthier Mankenda, Arbër Hoxha, janë futbollistët që janë ndalur në qendrën stërvitore të Greuther Furthit, ku do të provohen për një javë.

Nëse Greuther Furth ka interes ta ndalë ndonjërin prej tyre, atëherë në shprehje do të vijnë interesat e Prishtinës dhe klubit mik gjerman, pra vjen çështja e marrëveshjes në mes dy klubeve.

Mirëpo, kjo nuk do të thotë se futbollistët tjerë që janë kthyer të hënën në FC Prishtinë nuk u kanë ra në sy skautëve të huaj.

Disa nga ta, që treguan cilësi e atraktivitet në katër turnetë, gjatë ditëve apo javëve të ardhshme mund të marrin ftesa nga klubet tjera gjermane për t’iu nënshtruar provave. Njëri ndër ta mund të jetë edhe Lorik Boshnjaku, i cili në njërin turne u shpall lojtari më i mirë.

 

“Ishte përvojë shumë e mirë sepse u përballëm me disa ekipe shumë cilësore. Shpresoj të jem paraqitur mirë dhe të kem ra në sy, por me rëndësi është arritja ekipore. Në dy ndeshjet e para ishin të vështira për t’u adaptuar në parket, por pastaj u adaptuam dhe morëm duartrokitje edhe nga publiku”, tha Boshnjaku.

Ndërkohë, futbollisti tjetër i njohur i FC Prishtinës, mjaft i spikatur në Gjermani, Endrit Krasniqi, është i bindur se turnetë gjermanë do t’i shërbejnë të ardhmes së ekipit bardh e kaltër.