Bonaventura nuk lejon që Napoli të marrë kreun

85

Napoli dështon të fitojë sërish, duke lëshuar nga duart një tjetër mundësi për të kryesuar kampionatin, pas rrëshqitjes së Juventusit në Bolonja.

Lidershipi i përkohëshëm në San Paolo kalon nga këmbët e Abates që devijon gjuajtjen e Insignes, për të përfunduar në portën e gardianit të ri Donaruma, pesë minuta para fundit të pjesës së parë.

Mirëpo, gëzimi u ngelet në fyt tifozëve vendase, që ndalin këngën për një moment, derisa Bonaventura dërgon “sferën” drejt rrjetës së Reinas, për të vendosur baraspeshën në lojë.

Në fraksionin e dytë të lojës, skuadrat hynë në tapetin jeshil me strategji të ndryshme, me vendasit që nuk rreshtën së sulmuari dhe miqtë që shfrytëzuan në kundërsulme për ta vizituar portën nikoqire.

Mirëpo, asnjëra nga to nuk gjetën zgjidhjen e aq shumë kërkuar, duke vënë firmat e tyre për të vendosur paqen në kryendeshjen e javës së 26-të, në kampionatin italian të futbollit.

Ky barazim e lë Napolin në vend të dytë në tabelë me një pikë më pak se lideri Juventus. Ndërkaq, Milani është i gjashti, katër pikë prapa Interit që është në vend të pestë.