Billboard e krahason Era Istrefin me Rihannën dhe Sian

Një ndër emrat më të njohur në botën e muzikës për klasifikimet, por dhe për intervistat ekskluzive, i ka dedikuar një shkrim të gjatë këngëtares nga Kosova, Era Istrefi.

Shkrimi i revistës “Billboard” nis me mënyrën se si u pikas këngëtarja, duke e cilësuar këtë të fundit si zbulimi më i ri i themeluesit të The Ultra Music, Patrick Moxey.

Gjithçka nisi nga kënga “Bonbon”, e cila shumë shpejt arriti 30 milion klikime në YouTube, ndërkohë që gjithmonë e më shumë zëri dhe mënyra e saj e këndimit, po krahasoheshin me Rihannën dhe Sia.

“Besoj se është fantastike, që ajo krahasohet më këngëtare si Rihanna dhe Sia, por gjithashtu ajo është unike më tingullin e saj europiano-lindor, thuajse oriental”, shprehet Moxey.

Ndërsa artikulli  citon Erën që thotë në lidhje me suksesin e kësaj kënge: “Unë besoja se një ditë bota do të dëgjonte muzikën time, por nuk e prisja të ishte “Bonbon” ajo këngë, veçanërisht sepse ka tekst në gjuhën shqipe”.

Gjithashtu shkrimi në Billboard i kushton vëmendje dhe kontratës së lidhur nga Era, Patrick Moxey dhe aventurës së saj me Sony Music Entertainment Germany

Moxey beson se Era ka brumin e duhur për t’u shndërruar në artistë të rangut të OMI apo David Guetta.

Ndërkohë që sipas shkrimit, këngëtarja nga Kosova vijon të mbajë lart ambicien e saj që të “jetojë ëndrrën”.