Besa ndihet e pastër si loti, mbron futbollistët e saj

Java e fundit e tronditi futbollin kosovar, duke u zbuluar tri raste të dyshimta për kurdisje.

Ajo që i parapriu gjithë kësaj turbullire, e cila u shkaktua ditëve të fundit ishte ndeshja ndërmjet Besës dhe Trepçës që po dyshohet të ishte e kurdisur. Federata e Futbollit të Kosovës më në fund ka reaguar, për herë të parë pas luftës, duke e dërguar rastin në Prokurori dhe në Policinë e Kosovës.

Megjithatë, pejanët zotohen se janë të pastër si loti dhe se nuk kanë hyrë në “pazare” të tilla.

“Ne ndihemi të pastër, nuk u hyjmë këtyre lojërave të ndyta. Lojtarët tanë e dhanë maksimumin, por befasitë ndodhin në futboll. Nuk jemi marrë dhe nuk do të merremi asnjëherë me gjëra të tilla negative”, thotë për “Zërin” sekretari i klubit pejan, Egzon Maraj.

Besa mbron lojtarët

Komisioni Disiplinor i Shkallës së Parë të FFK-së ka hapur procedurë disiplinore ndaj tre futbollistëve të Besës, Arben Beqiri, Fatmir Rexha dhe Vildan Gutiq, me arsyetimin e mosangazhimit të qëllimshëm. Ata po ashtu do të jenë të detyruar të paraqiten në Prokurori dhe Polici për të dhënë deklarata.

Sidoqoftë, klubi Bardhekuq nuk shqetësohet për këtë punë pasi siguron se futbollistët në fjalë nuk janë të përfshirë në skandale të tilla dhe se në fund do të dalin të pafajshëm.

“Ne i kemi deklaruar sot (e enjte) deklaratat e tre lojtarëve në fjalë në FFK, ashtu siç na është kërkuar. FFK-ja e ka dërguar rastin në Polici dhe në Prokurori dhe neve na janë kërkuar deklarata edhe nga këto dy institucione. Një gjë të tillë do ta bëjmë nesër (të premten)”, u shpreh ndër të tjera Maraj.

“Është e pakuptimtë të akuzohen për kurdisje lojtarët që e kanë zhvilluar ndeshjen e parë në Superligë. Ata nuk kanë aspak faj, janë munduar ta jepnin më të mirën nga vetja, por u ka munguar përvoja. Ne do ta bëjmë të pamundurën që t’i mbrojmë ata, nuk po mendojmë fare se mund të dënohen apo të suspendohen. Siç jemi ne si klub, edhe ata janë të pastër”, përfundoi Maraj.

Jo vetëm kaq. Futbolli kosovar u trondit me një tjetër skandal këtë javë, kur u përhap një video, në të cilën shihej gjyqtari Bajram Gashi në takim me trajnerin Ismet Munishi pak ditë para ndeshjes Drita – Prishtina, të cilën do ta referonte pikërisht ky refer.

Gashi në këtë video-skandal tregon se e kishte ndihmuar ekipin gjilanas në fitoren ndaj prishtinasve vitin e kaluar dhe e kishte në plan ta ndihmonte përsëri Dritën, por FFK-ja e suspendoi atë duke e vendosur një refer tjetër për ndeshjen që e fituan kryeqytetasit të mërkurën.

FFK-ja në aksion

FFK-ja është shqetësuar seriozisht rreth skandaleve të fundit në futboll. Përpos ndërmarrjes së masave që i takojnë në këtë situatë, shtëpia e futbollit po përgatit fushatë vetëdijshmi.

“Të premten do të mbajmë mbledhje Komiteti Ekzekutiv për të marrë qëndrime zyrtare, kurse Komisionet tona janë të pavarura dhe do të marrin vendime të pavarura. Këtyre gjërave duhet t’u thuhet stop njëherë e përgjithmonë. Duhen respektuar ligjet. Do të kemi takime me klube, trajnerë e me lojtarë, pra do të bëjmë fushatë sensibilizimi. Ndërsa Prokuroria e Policia do ta kryejnë punën e vet sepse janë të obliguara për ta zbatuar ligjin. Ne kemi kërkuar nga Policia e Pejës që rastin e ndeshjes Besa – Trepça ta procedojë në Prokurori”, ka deklaruar sekretari i FFK-së, Eroll Salihu.