Beqiri: Veturën ma dogjën “Millosheviqët e vegjël”

117

Mëngjesi i parë i kësaj jave nuk nisi mbarë për shefin e grupit parlamentarë të LDK-së, Ismet Beqiri.

Ende pa zbardhur mirë dita, atij iu dogj vetura zyrtare, pronë e LDK-së, që ndodhej e parkuar para banesës së tij në qendër të Prishtinës.

Beqiri tha se këto akte duhet të ndalen dhe personat përgjegjës duhet të dalin para drejtësisë, përderisa kryesit e këtyre veprave ai i quajti “Millosheviqët e vegjël”.

“Ata duhet me u ndalë, bashkë me urdhërdhënësit e tyre. Po i rrezikojnë qytetarët, po rrezikohet institucioni publik, prona private, dhe kjo është sigurisht shenjë e keqe – mirëpo jo shenjë që ne duhet të na kaploj dëshpërimi. Këtë kënaqësi nuk do të ua ofrojmë sepse kemi kaluar sfida shumë më të rënda edhe në kohën më vjen keq me thënë, në kohën e Millosheviqit. Por edhe këto janë të Millosheviqave të vegjël”, ka thënë Beqiri.

I revoltuar nga ngjarja, i pari i LDK-së në Kuvend tha për KosovaPress se djegia e veturës, që është në pronësi të Lidhjes Demokratike të Kosovës me koktej molotovi, është vazhdimësi e akteve kriminale të bëra nga banditë që rrezikojnë jetën e qytetarëve. /Telegrafi/