“Benteke nuk është Lionel Messi”

176

Mbrojtësi i Crystal Palace, Damien Delaney deklaroi se blerja më e re e ekipit, Christian Benteke nuk është Lionel Messi, ndaj atij do t’i nevojitet mbështetja dhe përkrahja e të gjithë skuadrës. Sulmuesi 25-vjeçar, Benteke u transferua nga Liverpool drejt ekipit të shqiponjave për shumën rekord të këtyre të fundit, 31.5 milionë euro. Ekipi i Crystal Palace nuk ka shijuar ende fitoren në këtë sezon të ri të Premier League, teksa u mund me rezultatin 1-0 në të dy ndeshjet e luajtura, përkatësisht ndaj West Brom dhe Tottenham.

“Ne nuk kemi nënshkruar me Messin. Benteke është një futbollist i mirë, por nuk është një lojtar që do të marrë topin dhe thjeshtë do të realizojë gjëra të mëdha. Ne duhet ta furnizojmë atë me municion. Duhet të servirim sa më shumë krosime në zonë, në mënyrë që ai të mund t’i shfrytëzojë. Benteke ofron prezencë në fushë dhe është shumë i vlefshëm, por njëlloj është edhe Connor Wickham, ndaj duhet të ndalim fjalët dhe të nisim të fitojmë ndeshjet”, deklaroi Delaney për “Evening Standard”.