Bekim Isufi: Këto ekipe do ta bëjnë Superligën interesante

Stinori pranvero i Ipko Superligës ka nisur sot me ndeshjen KEK-u – Llapi 0:3.

Pa dyshim ndeshja më interesante e xhiros së parë të stinorit pranveror do të zhvillohet në stadiumin e qytetit në Gjilan, mes dy rivalëve të përbetuar Dritës dhe Gjilanit. Ky takim luhet të shtunën, duke filluar nga ora 13:30.

Të shtunën luhen edhe ndeshjet Ballkani – Drenica dhe Ferizaj – Trepça ’89.

Prishtina si lidere e fillon pjesën e dytë të sezonit (të hënën) në derbin lokal me Flamurtarin në “Fadil Vokrri”, kurse Feronikeli është mysafir i Lirisë në “Përparim Thaçi”. Edhe kjo ndeshje luhet të hënën gjithashtu nga ora 13:30.

Stinorin vjeshtor e dominoi Prishtina e Mirel Josës, që aktualisht mban vendin e parë me 40 pikë të grumbulluara pas 17 ndeshjeve, një pikë më shumë se ndjekësi më i afërt, Feronikeli.

Trajneri tjetër kosovar Bekim Isufi tha për gazetën “Zëri” se kampionatin do ta bëjnë interesant skuadrat e përforcuara që ndodhen në mes të tabelës.

“Një kampionat interesant, ku do ta bëjnë dallimin skuadrat e përforcuara të cilat gjenden në mes të tabelës dhe nuk do t’i lënë rehat pretenduesit për titull si Prishtina, Feronikeli dhe Llapi. Skuadra që gabon më pak fiton titullin. Rivaliteti është më i madh. Mund të them se skuadrat si KEK-u dhe Ferizaj janë përforcuar dhe do të bëjnë një luftë interesante”, potencoi Bekim Isufi.