Bekim Haxhiu “bombardon” Ragip Xhakën dhe yjet e Zvicrës

166

Bekim Haxhiu ka demantuar babain e Granit Xhakës, Ragipin, duke thënë se ata duhet të bëjnë kërkesë në FIFA, e jo të kërkojnë që kjo të bëhet me marrëveshje ndërmjet dy Federatave.

Nënkryetari i FFK’së, Bekim Haxhiu ka demantuar babain e Granit Xhakës, Ragipin, i cili ka thënë se ka kërkuar nga FFK që të bisedojë me Federatën zvicerane, në mënyrë që ata të lejojnë kalimin e Xhakës dhe të tjerëve në Kombëtaren e Kosovës.

Ai tha se këtë është dashur ta bëjë Granit Xhaka, ai është dashur të bëjë kërkesë në FIFA, pasi kjo e fundit nuk merret me supozime, por me kërkesa faktike.

Nënkryetari Haxhiu madje tha se, nëse është nevoja mund edhe të publikojnë mesazhet që kanë pasur me Ragipin, Granitin e të tjerët.

“Federata e Futbollit e Kosovës ka bërë të gjitha përpjekjet e mundshme që Xhaka, Shaqiri, Behrami, Tarashaj e të tjerët të vijnë e të luajnë për Kosovën. Por ata nuk duan. Nuk është mirë të na shesin moral, sepse nuk dua të vijmë në një situatë kur do t’i publikonim edhe mesazhet”, tha Haxhiu për Gazeta Express.

Haxhiu po ashtu tha se ka kontaktuar personalisht me Ragipin, i cili i kishte premtuar që të paktën Graniti do të vinte e të luante për Kosovën.

“Para një viti jam takuar dhe personalisht Ragip Xhaka më ka thënë se të paktën Graniti do të luaj për Kosovën. Ka pasur edhe dy takime të tjera me kryetarin Vokrri dhe përzgjedhësin Bunjaki. Nëse nuk duan të luajnë mos të trazojnë opinionin”, vazhdoi ai.

Krejt në fund Haxhiu tha se FIFA nuk ua ndalon të luajnë për Kosovën, por Xhaka, Shaqiri, Behrami, Tarashaj e të tjerët duhet ta kenë këtë dëshirë.

“Xherdani, Graniti, Behrami e të tjerët kanë status të njëjtë sikurse Ujkani, Meha e Rashica dhe gëzojnë të drejtën të vijnë dhe të luajnë për Kosovën, u duhet vetëm dëshira”.