Bëhen ndryshime për ndëshkimin direkt me të kuq

161

Futbollistët që shkaktojnë një faull për të mos lejuar shënimin e një goli nuk do të ndëshkohen automatikisht me karton të kuq, ka konfirmuar trupi për krijimin e rregullave të futbollit.

Deri më tash është bërë ndëshkim i trefishtë, përjashtimi me karton të kuq, më pas suspendimi dhe në raste edhe akordimi i penalltisë, raporton BBC.

Megjithatë, lojtarët që shkaktojnë faull padashje që e mohojnë një rast të shënimit të golit do të paralajmërohen, por ata që shkaktojnë faulle të qëllimta do të vazhdojnë të ndëshkohen me të kuq.

Këtu përfshihen ata që e mbajnë kundërshtarin, e tërheqin apo shtyjnë pa posedimin e topit, shkaktojnë faulle serioze, sjelljet e dhunshme ose ata që e prekin topin me dorë për të mos lejuar shënimin e golit, transmeton Koha.net.
Ky ndryshim është ratifikuar nga Bordi i Shoqatës Ndërkombëtare të Futbollit (IFAB), trup ky që është bërë nga katër shoqata të futbollit britanik dhe Fifa, që vendosin në ndryshimet e rregullave të futbollit. Ky vendim është marr pas një analize 18 mujore nga ish-referi i Premier Ligës, David Elleray.

IFAB-i ka caktuar që të mbahet një eksperiment në futbollin italian për të rishikuar videot në rastet e akordimit të penalltive, ato që janë të dyshimta nëse ishte apo jo penallti.

Kjo teknologji do të përdoret që të ndihmojë referat nëse një gol është shënuar, nëse një penallti duhet të akordohet, nëse një lojtar duhet të ndëshkohet me të kuq, dhe në raste të identifikimit të gabuar.

“Ne ishim ndër të parët që të mbështesim përdorimin e teknologjisë në futboll, dhe besojmë se kemi gjithçka që kërkohet që të japim kontributin tonë në këtë eksperiment të rëndësishëm”, ka thënë Carlo Tavecchi, president i Federatës së Futbollit Italian.

Testimet së pari do të jenë private para se të kalohet në fazën e pilotimit të rishikimit me një asistent nga sezoni 2017-18.