Befason Edi Reja, Shqipëri ndryshe ndaj Islandës, ky pritet të jetë formacion

“Do luaj gjithmonë me dy sulmues”, ky ishte indikacioni kryesor që dha Edi Reja në konferencën për shtyp, referuar mënyrës së lojës dhe formacionit që mund të hedhë në fushë ndaj Islandës.

Mirëpo, pakkush vlerësoi atë fjali shpjeguese që ai dha më tej. “Unë punoj me dy grupe në stërvitje dhe më pas, bëj zgjedhjet për të përcaktuar 11- shen titullare”. Dita e enjte, me dy seancat e radhës stërvitore, ka nisur që të konturojë edhe idetë e para fillestare të formacionit sesi do të zbresin kuqezinjtë në fushë në ndeshjen e radhës.

MUNGESAT

Gjatë ditës së djeshme, trajneri Reja ka punuar pa 3 nga lojtarët që ka kërkuar të ketë në grumbullim. Gentian Selmani ka qenë në Durrës, por në një tjetër stadium, atë “Niko Dovana”, i angazhuar në ndeshjen e fundit të Laçit ndaj Teutës. Dy mungesa të tjera janë ato të mbrojtësve Marash Kumbulla si dhe Egzon Binaku.

I pari qëndron në Itali, teksa Verona ka zhvilluar dje ndeshjen e parë “Play-Off”, por 19-vjeçari nuk ka qenë as i grumbulluar. Ndërkohë, për Binakun, dëmtimi mund ta lërë përfundimisht jashtë grumbullimit.

PROVAT

Trajneri e ka të qartë, por në stërvitje lojtarët nuk mund të thonë me bindje nëse janë në 11-shen titullare. Nga skemat dhe provat që trajneri ka bërë, Shqipëria po punon me disa variante taktike. Kjo, për t’i parë futbollistët se ku mund të përshtaten më mirë, por nuk përjashtohet edhe mundësia që një prej skemave të jetë ajo që përdor kundërshtari, ndërsa tjetra, skema që do të zgjedhin kuqezinjtë.

Nga ndarja e lojtarëve gjatë seancës stërvitore, është vënë re se nuk është anashkaluar as skema tradicionale e Shqipërisë: 4-3- 3. Për t’iu bazuar fjalëve të trajnerit në konferencë, mund të përkthehet edhe në 4-3-1-2 ose edhe në 4-4-2 tradicional. Me Hysaj, Ajeti, Veseli e Lenjani, trajneri ka testuar një prapavijë me katër. Përpara, Xhaka, Abrashi, Memushaj e Grezda formojnë një tjetër katërshe për mesfushën, në mbështetje të dyshes Cikalleshi-Uzuni. Por, kjo mund të jetë një skemë për të formuar edhe kurthin ndaj Irlandës.

KURTHI

Po me këta lojtarë, Shqipëria mund të luajë edhe me skemën 3-5-2. Hysaj, Veseli e Ajeti formojnë prapavijën dhe Lenjani e Grezda vendosen respektivisht në linjën e majtë dhe të djathtë. Sigurisht që në prapavijë alternativa bindëse janë edhe Ismajli dhe Dermaku, por në stërvitje janë vendosur në skuadrën tjetër, mbase edhe për t’i përballur me sulmuesit “titullarë”.

Për të vijuar rreshtimin, Abrashi, Xhaka e Memushaj formojnë “digën” e ngjeshur në mesfushë. Ndërsa në sulm, Uzuni dhe Cikalleshi mbajnë barrën e repartit të avancuar. E rëndësishme për momentin është që trajneri t’i ketë të gjithë lojtarët në dispozicion, për të punuar në stërvitje mbi variantin më të mirë të mundshëm deri në mbrëmjen e 8 qershorit.