Bayern, Lewandowski e Neuer premtojnë besnikëri

85

Robert Lewandowski dhe Manuel Neuer i premtojnë besnikëri Bayern Munchen. Dy yjet e bavarezëve janë lidhur së fundmi me spekulime se do të largohen nga kampionët e Bundësligës.

Për Lewandowskin interesohet mbi të gjithë Reali i Madridit, me klubin spanjoll që e cilëson sulmuesin si një prej yjeve të rinj, për revolucionin që pritet në Santiago Bernabeu.

Por, 28-vjeçari polak nuk joshet nga oferta e madrilenëve dhe duket i vendosur që të qëndrojë te Bayerni. Sipas mediave spanjolle, për të plotësuar dëshirën e Lewandowskit, drejtuesit e klubit bavarez kanë nisur punën që së afërmi të rinovojnë kontratën e lojtarit, edhe pse marrëveshja aktuale përfundon në Qershor të vitit 2019.

Manuel Neuer është një tjetër element kyç, që duket se nuk ka ndërmend të largohet nga Allianz Arena. Së fundmi ka patur mjaft zëra për oferta nga Premier League angleze në adresë të portierit.

Megjithatë, gardiani që për momentin cilësohet si më i miri në botë, nuk shprehet i interesuar për t’u larguar nga Bayerni. Në një intervistë për “Munchner Merkur”, Neuer deklaroi se i pëlqen të luajë në Gjermani.

Portieri, që muajin e ardhshëm do të festojë 30-vjetorin e lindjes, tregoi se në vendimin e tij nuk do të lëkundej as përballë kontratave të majme që ofrojnë klubet angleze.

Kontrata e Neuer me Bayern Munchen përfundon në vitin 2019 dhe sipas numrit 1 të portës, rinovimi i marrëveshjes nuk është një çështje urgjente.

/Super Sport/