Batatina ’shpërthen’ pas fitores së parë

Llapi ka fituar minimalisht, 1:0 ndaj Drenicës me golin e Mirlind Dakut. Pas ndeshjes, trajneri llapjan, Tahir Batatina ka thënë se fitorja ishte e merituar.

”Ndeshjet e para gjithmonë janë të vështira. Futbollistët kanë ngarkesën e tyre me ç’rast i kuptoj. Luajtëm një ndeshje me dy pjesë të ndryshme, derisa në të parën kemi lejuar Drenicën të luajë futboll, në të dytën kemi sulmuar vazhdimisht ku edhe shënuam golin. Rezultati në fund ishte real”, deklaroi Batatina për SuperSport, transmeton Gazetasheshi.com.

Batatina ka lavdëruar Mentor Zhdrellën, teksa beson se do të marrë ftesë edhe nga përzgjedhësi i Kosovës. ”Jam i kënaqur me ardhjet e reja, sidomos me Mentor Zhdrellën dhe jam i bindur se shumë shpejt do të ftohet nga selektori i Kosovës”.

Për më shumë, Batatina thotë se sikur ta kishin pasur Zhdrellën në finale të Kupës, tani do të ishin në Evropë. ”Ju garantoj të gjithëve që Llapi do ta kalonte një rreth në Evropë”, përfundoi Batatina.