Tahir Batatina: Operimin Liridon Lecit ia paguan Llapi pasi nuk është lënduar në ara

Skuadra e Llapit pak ditë para nisjes së Superligës së Kosovës në futboll e ka pranuar një lajm aspak të mirë.

Mbrojtësi më shumë përvojë i ardhur në këtë afat kalimtar nga Drita e Gjilanit, Liridon Leci, i ka këputur ligamentet dhe do të mungojë për një kohë të gjatë.

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, i cili njëkohësisht është edhe donator në këtë klub, në një prononcim për “Zeri.info” ka folur për lëndimin e Lecit.

“Do të jetë një mungesë e madhe për neve, duke e ditur se Leci është një futbollist me shumë përvojë. Ne si klub do t’i mbulojmë shpenzimet e operimit. Lojtari nuk është lënduar në ara, por me skuadrën”, ka thënë Tahir Batatina.

Kujtojmë se operimi në raste tilla shkon deri në 4 mijë euro.

Tutje, Batatina ka folur edhe për futbollistin që do ta zëvendësojë Lecin.

“Ne kemi bërë shumë transferime në këtë afat kalimtar dhe në secilën pozitë i kemi nga dy futbollistë. Në pozitën e Lecit do të aktivizohet Ardit Peposhi, i cili mund të luajë edhe në qendër të mbrojtjes”, theksoi Tahir Batatina.

Llapi në verë është “kampion” në elitë sa u përket transferimeve, pasi i ka sjellë në “Zahir Pajaziti” plot 15 futbollistë.