Batatina nuk heç dorë nga Evropa, premton shumë surpriza për edicionin e ardhshëm

Tahir Batatina - kryetrajner i KF Llapit

Klubi Futbollistik “Llapi” ka mbetur pa “viza” edhe këtë vit, derisa daljen në Evropë i mbetet ta kërkojë edicionin e radhës. “Legjenda” nga “Zahir Pajaziti” kanë mbyllur një vit me shumë peripeci, megjithatë për drejtuesit e këtij klubi nuk mund të konsiderohet edhe i dështuar, pavarësisht që nuk janë arritur objektivat, shkruan Gazetasheshi.com.

Tahir Batatina, kryetrajner i kësaj skuadre ka folur për emisionin “Dueli Ditor” në “RTV Dukagjini”, derisa ka bërë një rezyme të këtij edicioni.

Për teknikun llapjan është një sukses prezantimi i katër futbollistëve të rinj të kësaj skuadre në shumicën e ndeshjeve kampionale të edicionit që lëmë pas, derisa pret që në edicionin e radhës të kenë minuta edhe më të mëdha në këmbët e tyre.

“Natyrisht se nuk jemi të kënaqur edhe shumë me kampionatin që përfunduam, pasi që kemi patur për objektiv daljen në Evropë. Megjithatë, ne kemi zhvilluar një edicion solid dhe mbi të gjitha kemi arritur të nxjerrim futbollistë cilësorë siç janë Hajdin Salihu, Alban Shabani, Kastriot Selmani dhe Valmi Veliu. Besoj shumë se këta futbollistë do ta bartin barrën e ekipit edhe në edicionin e ardhshëm pasi që tashmë kanë krijuar përvojën e mjaftueshme për të luajtur në Superligë”, deklaroi fillimisht Batatina.

Evropa do të vazhdojë të mbetet objektiv kryesor për llapjanët, të cilët me disa përforcime synojnë që të dalin në arenën ndërkombëtare.

Batatina ka konfirmuar që ekipi do të kompletohet para datës 5 gusht, derisa pesë ditë më vonë do ta nisin edhe zyrtarisht fazën përgatitore.

“Jemi munduar ta ruajmë boshtin e skuadrës duke rinovuar me disa nga futbollistët kryesorë. Jemi në bisedime me disa futbollistë. Po synojmë që të përforcohemi në mesin e fushës dhe në vijën e parë të sulmit. Deri më datën 5 gusht besoj që do t’i përfundojmë të gjitha transferimet, pasi që më 10 gusht do të startojmë ne fazën përgatitore”, shtoi ndër të tjerash tekniku llapjan.

Intervistën e plotë të Batatinës mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm:

Batatina

Ecuria e Llapit, synimet për sezonin e ri, afati kalimtar, e ardhmja e Valmir Veliut dhe porosia e trajnerit të Llapit, Tahir Batatina për ekipet kosovare që luajnë sivjet në Evropë.#DueliDitor#RTVDUKAGJINI

Posted by Dueli Sportiv on Saturday, August 1, 2020

/Gazeta Sheshi/