Batatina ngrit temperaturat: Në Llap do të rreziten shumë skuadra

456

Berat Hyseni, Festim Krasniqi, Fuat Karabegu, Rron Statovci, Ilir Avdyli, Arbnor Zeqiri, Nikola Gjorgjievski, Bujar Idrizi, Filonit Shaqiri, Florim Bërbatovci dhe Nazif Mulaku janë 11 përforcimet e Llapit këtë verë.

Prurjet e reja përbëjnë një skuadër komplete dhe te Llapi gjejnë edhe emra tjerë të dëshmuar në futbollin kosovar.

Grupi tejet i fort i futbollistëve ka bërë që trajneri i Llapit, Tahir Batatina ta shpallë kandidaturën për titull, duke mos iu frikësuar asnjë rivali.

“Llapi nuk i frikësohet asnjë kundërshtari, sepse potenciali i futbollistëve dhe cilësia e tyre mua si trajner më bën të besoj në skuadrën që e drejtoj dhe punën të cilën jemi duke e bërë që nga organizimi, kushtet, por edhe grupi homogjen tejet i motivuar”, deklaroi Batatina për Gazetën Sheshi.

Batatina shpreson se edicioni i ri i Superligës që nis më 20 gusht të jetë korrekt, pasi beson se në këtë mënyrë Llapi do t’ia dalë ta fitojë titullin.

“Besoj në stafin tim dhe punën time profesionale që së bashku me këta djemë e duam Evropën për t’i treguar cilësitë në arenën ndërkombëtare nga një qytet me shumë talentë dhe dashamirë të futbollit”.

“Vetëm dua t’ju them se në Llap këtë kampionat do të rreziten shumë skuadra, sepse do të jetë një Llap i nxehtë me projeksione të qarta – Llapi në Evropë”, përfundoi Batatina.

Ndonëse kanë ardhur 11 përforcime, Llapi ende nuk e ka mbyllur kuletën dhe në ditët në vijim mund të ketë ndonjë tjetër goditje.