Bashkimi kërkon në tavolinë pikët e humbura me Kikën, ky është vendimi i FFK-së

Komisioni i Garave i Vala Superligës së Kosovës në futboll në përbërje Ismet Ahmeti, Isuf Ajeti dhe Sahit Kelmendi, me rastin e regjistrimit të ndeshjes së Ligës së Parë të Kosovës, ndërmjet KF “Kika” – KF “Bashkimi” konstatoi se KF “Bashkimi (K)” ka ushtruar ankesë në rregullsinë e kësaj ndeshje, andaj konform nenit 56 të Propozicioneve të Garave dhe nenit 68 të Rregullores së Garave e nxori këtë:

V E N D I M

1.REFUZOHET si e pabazuar ankesa e KF “Bashkimi” (K) dhe ndeshja regjistrohet me rezultatin e arritur në fushë, me rezultat 2-1 në favor  të KF “Kika” Hogosht.

Arsyetim

Komisioni i Garave me rastin e regjistrimit të ndeshjes së javës së 3-të të Ligës së Parë të Kosovës ndërmjet KF Kika – KF Bashkimi (K), konstatoi se KF “Bashkimi” (K) ka ushtruar ankesë në parregullsinë e paraqitjes së një lojtari të KF “Kika” me nr fanellës 20, Arian Mustafa, në pjesën e parë të protokollit dhe 34 në fanellë. Komisioni i Garave pas administrimit të gjitha shkresave të ofruara konstatoi: se lojtari i KF Kika, Arian Mustafa në faqen e parë të protokollit ka qenë i shënuar me nr 20, kurse në fanellë me nr 34, që dëshmohet në faqen e dytë të protokollit te ndërrimi i lojtarëve, prandaj në rastin konkret kemi të bëjmë me lëshim teknik e jo substancial, që do të ndikonte në miratimin e ankesës së KF ‘Bashkimi’ (K). Pasi që kemi të bëjmë me lëshim teknik refuzohet si e pabazuar ankesa e KF ‘Bashkimi’ (K) dhe ndeshja regjistrohet me rezultatin e arritur në fushë 2-1.