Barcelona “peshkon” tek Villareali

99

Në përballjen e “El Madrigal” me Villarealin, ku Barcelona u ndal në barazim 2-2 pas 11 fitoreve radhazi në La Liga, ra në sy paraqitja e mirë e Denis Suarezit, që më parë ka qenë pjesë e skuadrës së dytë të blaugranave. Sipas El Mundo Deportivos, 22-vjecari spanjoll i ka të gjithë cilësitë për t’i kthyer te skuadra që e promovoi 2 vite më parë.

Paraqitja e mesfushorit me tipare sulmuese e justifikoi plotësisht vendimin që kanë marrë drejtuesit e Barcës për ta riblerë në fund të sezonit për tre milionë euro, shifër kjo e përfshirë në kontratë si klauzolë nëse katalanasit dëshirojnë shërbimet e tij. Në radhët e Villarealit shkëlqeu edhe Cedric Bakambu, i cili është në listën e dëshirave të Enriques për ta patur si alternativë të sulmuesve që formojnë tredhëmbëshin Messi-Suarez-Neymar.  Sikurse Denis Suarez, edhe Bakambu ra nw sy, duke shënuar në portën blaugrana golin e tij të 11-të në sezonin e parë në Primera Division.

24-vjecari francez, pjesë e kombëtares së Kongos, po shkëlqen te nëndetësja e verdhë, ku nuk i është dashur shumë për t’u përshtatur pas aventurës mbresëlënëse në Turqi me Bursasporin, ku shënoi 13 gola në 27 ndeshje. Nëse vazhdon me këtë ritëm, gjatë merkatos së verës drejtuesit e Barcelonës mund të bëjnë një ofertë konkrete, por të kompletuar fazën sulmuese më një tjetër elementë cilësor, që do të bënte të ndihej pak mungesa e mundshme e një prej yjeve të sulmit.