Barazimi dramatik i Llapit, Batatina ka kritika pas ndeshjes

Llapi dhe Trepça ’89 kanë zhvilluar njërën prej ndeshjeve më të mira në stinorin pranveror.

Sfida në fund përfundoi 3:3 dhe ishte tejet dramatike.

Pas ndeshjes, trajneri i Llapit, Tahir Batatina theksoi se ekipi i tij luajti më mirë, por për fatin e keq ishte në disavantazh tri herë, transmeton Gazetasheshi.com.

“Së pari ka qenë një ndeshje tipike kampionale, e Llapi çdo herë ka pasur ndeshje të mira, por edhe 89-shi ka një lojë të mirë, është kampion aktual i Kosovës. Si do që të jetë duhet të ishim më të vëmendshëm në pjesën e parë, por pasi pësuam golat na u desht të rikthehemi duke dhënë maksimumin”, deklaroi Batatina.

Ai një pjesë të fajit për këtë barazim ia hedh edhe portierit Arben Beqiri.

“Portieri duhet të reagonte më shpejt dhe kjo na kushtoj. Gjithsesi mendoj se ishte ndeshja më e mirë e vitit në futbollin kosovar”, përfundoi Batatina.