Ballkani blindon yjet e skuadrës, Berisha, Topalli, Baftiu, Bytyqi, Gashi e Kuc me kontrata afatgjate

Ballkani i Therandës është skuadra që ka befasuar më së shumti këtë edicion në Superligën e Kosovës.

Skuadra e drejtuar nga Ismet Munishi aktualisht mbanë pozitën e parë në tabelë me 34 pikë pas 16 javëve, tri më shumë se përcjellësit e saj Drita e Gjilani.

Ballkani po mendon edhe për stinorët e ardhshëm, derisa ka blinduar tanimë me kontrata të reja lojtarët kryesorë të ekipit, shkruan Gazeta Sheshi.

Kapiteni Visar Berisha ka vazhduar kontratën deri në vitin 2022, ndërsa deri në këtë vit e ka vazhduar edhe mesfushori Kushtrim Gashi.

Deri në vitin 2021 kanë vazhduar tre yjet e skuadrës Blend Baftiu, Jetmir Topalli dhe Edvin Kuc.

Ndërkohë talenti Ramiz Bytyqi do të jetë pjesë e klubit deri në vitin 2024.

Më poshtë njoftimi i plotë i klubit:

Të dashur tifoz,

Synimet drejt sukseseve kulminante nuk mund të bëhen pa futbollistët cilësor, tani të dëshmuar, siç janë: Visar Berisha, Blend Baftiu, Ramiz Bytyqi, Jetmir Topalli, Kushtrim Gashi dhe Edvin Kuc.

Duke marrë për bazë se këta futbollist e kanë dëshmuar se me punë, pasion dhe përkushtim kanë mbrojtur ngjyrat portokalli, klubi FC Ballkani me mirëkuptim dhe vullnet të dyanshëm ka vazhduar bashkëpunimin afatgjatë me të lartpërmendurit nën këto afate dhe korniza të listuara më poshtë:

– Visar Berisha 2022
– Blend Baftiu 2021
– Ramiz Bytyqi 2024
– Jetmir Topalli 2021
– Kushtrim Gashi 2022
– Edvin Kuc 2021

Me këtë lajm ju premtojmë se ende nuk kemi treguar më të mirën, duke ju siguruar se FC Ballkani ka ende për të shfaqur ndeshje të bukura nëpër stadiume brenda dhe jashtë vendit.

Na priftë e mbara!

FC Ballkani
Suharekë

/Gazeta Sheshi/