Balaj debuton me gol me fanellën e Sturmit

Bekim Balaj e ka nisur me këmbën e mbarë aventurën te skuadra e Sturmit të Grazit.

Sulmuesi shkodran pasi u transferua si një lojtar i lirë nga Akmat Grozni, duket se ka gjetur vendin e duhur për të nxjerrë në pah të gjithë potencialin e tij.

Lojtari i përfaqësueses së Shqipërisë, ka shënuar gol në debutimin e tij në kampionatin austriak. Kur sapo kishte nisur takimi dhe kishin kaluar vetëm pesë minuta lojë, 28-vjeçari u tregua i saktë nga pranë portës duke dërguar të tijtë në avantazh.

Shkodrani mund të ishte pjesë e skuadrës prej javës së kaluar, megjithatë një problem burokratik me dokumentet nuk e lejoi të zbriste rregullisht në fushë.

Por, Balaj ia ka dalë të bëjë një start perfekt, ndërsa tashmë duhet të punojë shumë për të qenë në nivelin e pretendimeve.