Bajrami kërkon disiplinë ose nuk vazhdon me Hajvalinë

Hajvalia pësoi 1:0 nga Drenica në Skenderaj në ndeshjen e parë të Emin Bajramit pas rikthimit të tij si trajner i kësaj skuadre.

Me këtë rast, Bajrami ka komentuar ndeshjen, duke thënë se ajo kishte dy pjesë të ndryshme për ekipin e tij. “Pjesën e parë e dominuam në tërësi pas pranimit të golit të hershëm. Por, ne i patëm edhe 3-4 raste të mira, mirëpo nuk reaguam mirë në finalizim. Në pjesën e dytë u vërejt mungesa e përgatitjes fizike, ku as për së afërmi nuk ngjasonte me pjesën e parë”, deklaroi Emini për Gazetën Sheshi.

SIpas tij, ekipi në 45 minutat e dytë fillojë ta humbë ekuilibrin. “Ajo që më brengosi më së shumti është se lojtarët tanë filluan ta administrojnë lojën me shumë nervozizëm dhe të dalin jashtë pozicioneve, ku një gjë të tillë nuk e preferoj unë dhe duhet shumë punë në këtë drejtim”, shtoi Bajrami.

Madje, ai ka kërcënuar me largim nga skuadra nëse disiplina nuk është në nivel.

“Këta djelmosha duhet të punonjë shumë dhe të kenë disiplinë, përndryshe nuk vazhdoj pamarrë parasysh kushteve financiare që nuk janë të mira. Unë kam pranuar të punoj në këto kushte dhe duhet ulur kokën në mënyrë që të punojmë e bashkërisht me punë dhe disiplinë të dalim nga kjo situatë”, përfundoi Bajrami.

Hajvalia është e fundit në renditje me 6 pikë pas 13 ndeshjeve.