Avokati i Popullit kërkon kompensimin e pensionistëve kosovarë nga Qeveria e Serbisë

96

Niveli i zbatimit i të rekomandimeve të lëshuara nga Avokati i Popullit ka shënuar rritje për 50 përqind. Por sfidë mbetet mbrojtja e sektorit privat nga diskriminimi. Kështu u tha në Komisionin për të Drejtat e Njeriut dhe Barazi Gjinore ku u diskutua lidhur me zbatimin e rekomandimeve të institucionit të Avokatit të Popullit.

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, foli dhe për funksionimin e sistemit të drejtësisë në vend, duke theksuar se kërcënohet rëndë sistemi i parimit të sigurisë juridike. Ai tha se, sipas një hulumtimi, rezulton se në tërë territorin e Kosovës, gjatë vitit 2015, janë 117 mijë raste të paekzekutuara, të cilat kanë të bëjnë me kundërvajtje. Shifër kjo e cila, sipas Jasharit, në një shtet me 2 milionë banorë, është alarmante dhe e rrezikon rëndë parimin e sigurisë juridike.

Jashari foli po ashtu dhe për çështjen e pensioneve të cilat duhet të kompensohen nga Qeveria e Serbisë për pensionistet kosovarë të cilëve u ka dhënë të drejtë edhe Gjykata e Strasburgut. Ai tha se kanë dërguar opinion për këtë çështje në Komitetin e Ministrave në Këshillin e Evropës dhe se pret që kjo do të miratohet.

Por njëri nga përfaqësuesit e 6 Plus në këtë komision, Nenad Rashiq, ishte skeptik që kompensimi i pensionistëve kosovarë nga Serbia do të ketë sukses. Ai tha se nëse institucionet nuk do të reagojnë shpejt, rreziku është se nuk do të ketë asnjë përfitues.

Ndërsa Mexhide Mjeku-Topalli, nga radhët e PDK-së kërkoi nga Avokati i Popullit që të deklarohet se çfarë mund të bëjë institucioni të cilin ai drejton sa u përket grave të dhunuara në luftën e fundit. E avokati Jashari tha se deri më tani nuk ka pasur asnjë ankesë individuale që i është paraqitur institucionit të Avokatit të Popullit sa i përket kësaj çështjeje. Por nëse paraqitet ndonjë rast i tillë, ai tha se Avokati i Popullit do të jetë i gatshëm për të dhënë opinionet e veta./KosovaPress/