Augent Latifaj, “luani” që kërkon të shpëtojë Kikën në Ligën e Parë

Kika nga Hogoshti po lufton për të shpëtuar këtë edicion në Ligën e Parë, teksa aktualisht gjendet e parafundit me 23 pikë, një më pak se zona që mundëson ndeshjen e barazhit, shkruan Gazetasheshi.com.

Për të arritur drejt këtij qëllimi janë mobilizuar gjithë drejtuesit e klubit, që së bashku me futbollistët synojnë të shpëtojnë një edicion që nuk shkoi ashtu siç e kishin menduar.

Augent Latifaj, njëri ndër lojtarët më të dalluar të Kikës në këtë edicion shpreh optimizmin se skuadra e tij mund të mbijetojë, por për këtë i duhet edhe përkrahja e madhe e “Ultras Luanëve”.

“Objektivi ynë kryesorë është të mbetemi në ligë. Jemi të mobilizuar dhe do të luftojmë deri në fund për të arritur qëllimin tonë. Për këtë na duhet edhe përkrahja e tifozëve nga të cilët kërkoj që të jenë në numër sa më të madh, sidomos në ndeshjet kur luajmë në shtëpinë tonë”, deklaroi fillimisht Latifaj.

Fotografia e Augent Latifaj
Latifaj ka qenë fantastik këtë edicion, duke realizuar shtatë gola dhe duke asistuar pesë herë për bashkëlojtarët e tij. Por, për mesfushorin hogoshtas primare janë sukseset e ekipit.

“Kam kaluar në një formë shumë të mirë këtë edicion, me ç’rast kam ndihmuar ekipin me shtatë gola dhe pesë asistime. Për këtë dua ti falenderoj trajnerët Hetem Sogojeva dhe Bujar Vraniqi për punën që kanë bërë me mua dhe gjithë ekipin. E thash edhe më herët objektivi kryesorë është që të këtë sukses ekipi dhe më pas vijnë edhe sukseset individuale edhe pse ato nuk më kanë munguar këtë edicion”, përfundoi Latifaj.

Bardhekaltërit e presin Arbërinë nga Dobroja në kuadër të javës së 25-të në Ligën e Parë.

/Gazeta Sheshi/