Askush si Drita, tri vite radhazi në barazh

Nëse për asgjë tjetër, Drita do të mbahet mend për ndeshjet e barazhit. Në tri edicione rresht, skuadra gjilanase e shijon barazhin.

Dy herët e kaluara, kaltër e bardhët të prirë pak a shumë edhe nga fati arritën të mbijetojnë në elitë. Dhe, në të dy rastet mposhtën Flamurtarin pas penalltive.

Por, jo me kaq. Sikurse në duelin e parë, ashtu edhe në të dytin, gjilanasit ishin duke pësuar, por arrinin të barazonin për ta dërguar duelin në penallti.

Herën e fundit, Drita ishte me fat, duke barazuar shifrat në kohën shtesë, shkruan Gazetasheshi.com.

Ndërkohë, kësaj radhe, Drita do të luajë sërish në barazh, por kundërshtari ka ndryshuar. Dukagjini do të jetë përballë të përzgjedhurëve të trajnerit Milaim Zuzaku këtë fundjavë.

Mbetet të shihet se cili do të jetë epilogu i këtij dueli, por një gjë është e sigurt se në krahasim me dy herët e kaluara, Drita ka skuadër më të kompletuar tani.