Arrestohet vozitësi i deputetes Aida Dërguti

186

R.Deliu rreth 40 vjeçar nga fshati Kçiq i komunës së Mitrovicës, njëherësh vozitës i deputetes në Parlamentin e Kosovës nga radhët e Lëvizjes ‘Vetëvendosje’, është arrestuar mbrëmë nga policia në Mitrovicë dhe është dërguar menjëherë në paraburgim.

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, ka konfirmuar ngjarjen për KosovaPress, duke mohuar se i dyshuari është arrestuar në hapësirat e shkollës ‘Ismail Qemali’, ku përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje kanë mbajtur mbrëmë një tubim me qytetarë.

Sipas tij, R.D. është arrestuar në rrugën ‘Ahmet Selaci’ në Mitrovicë, pasi të njëjtit i është prezantuar urdhëresa për arrestim nga data 9 shkurt 2016 të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Ai nuk ka dhënë detaje shtesë rreth arrestimit të të dyshuarit.

Në anën tjetër, Faruk Mujka, kryetar i Lëvizjes VV në Mitrovicë, i ka thënë KosovaPress-it se i dyshuari është aktivist i Vetëvendosjes dhe njëherësh vozitës i deputetes Aida Dërguti.

“Po, mbrëmë është arrestuar nga policia edhe një aktivist i yni gjatë një tubimi që kemi pasur me qytetarët e Lagjes ‘Bair’ në shkollën fillore Ismail Qemali. Ai është arrestuar brenda hapësirave të kësaj shkolle në prezencën e disa qytetarëve dhe të drejtorit të shkollës”, ka thënë Mujka.

Burime të KosovaPress-it bëjnë të ditur se R. Deliu dyshohet të ketë marrë pjesë në dëmtimin e veturave të EULEX-it në vitin 2009./KosovaPress/