Arrestohet Visar Ymeri

99

Lideri i “Vetëvendosjes”, Visar Ymeri është arrestuar sot në mëngjes në banesën e tij në Prishtinë.

“Arrestimi i kryetarit të subjektit më të madh opozitar vjen pas qindra arrestimesh të aktivistëve e deputetëve të Lëvizjes në gjashtë muajt e fundit. Arsyet e kësaj përndjekje mesjetare janë tërësisht politike, duke qenë se për gjashtë muaj me radhë Lëvizja Vetëvendosje! ka arritur të bllokojë marrëveshjet e dëmshme për vendin, atë për ‘Zajednicën’ dhe ‘Demarkacionin’”, thuhet në njoftimin e VV-së.

“Të gjithë aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje!, përfshirë këtu kryetarin Visar Ymeri, shefin e grupit parlamentar Glauk Konjufca apo sekretarin organizativ Dardan Molliqaj, nuk janë njerëz që arratisen prej Kosovës për t’i ikur drejtësisë, siç bëjnë zyrtarët e lartë të partive në pushtet”.

“Të gjithë ne jemi të arrestueshëm, ndryshe nga kriminelët dhe multimilionerët e PDK-së dhe LDK-së që janë të paprekshëm. Por nuk do të vijmë vetë në gjyqet politike të urdhëruara nga pushteti. Do të vazhdojmë rezistencën deri sa ta shpërfaqim krejt dhunën policore dhe shumëstandartësinë gjyqësore të këtij pushteti me karakteristika totalitare”.