Armend Dallku përgënjeshtron Prishtinën

FC Prishtina njoftoi sot për shkëputjen kontratës me marrëveshje të dyanshme me trajnerin Armend Dallkun.

Mirëpo, jo gjithçka që thuhej në komunikatën e klubit më të madh në vend duket se ishte e vërtetë.

Në fakt, trajneri vushtrrias e ka përgënjeshtruar klubin Bardhekaltër.Në një bisedë me “Gazeta Express”, Dallku e konsideron absurd pretendimin e drejtuesve të FC Prishtinës për ndërprerje të bashkëpunimit me marrëveshje të dyanshme.

Ai tregon se i ka pritur qe disa ditë krerët e klubit për t’u takuar dhe për ta diskutuar ndarjen, por që takimi nuk u realizua asnjëherë.

“Qe 12 ditë e kam kërkuar dhe e kam pritur një takim me drejtuesit e klubit për ta ndërprerë bashkëpunimin. Në Istog ishim pajtuar për ta zhvilluar një takim dhe për ta kryer këtë punë dhe nga atëherë kam pritur, por takimi nuk ka ndodhur. Nuk e di se përse klubi nuk e ka realizuar këtë takim. Kështu që, njoftimi i sotëm i klubit për ndërprerje të bashkëpunimit me marrëveshje të dyanshme është absurd. Ky njoftim i klubit është i njëanshëm sepse nuk jemi takuar edhe pse e kam pritur një takim”, deklaroi Dallku.

Ndarja në mes të Prishtinës dhe Dallkut ishte e çuditshme dhe aspak e pritshme duke e pasur parasysh se klubi e ka mbrojtur vazhdimisht trajnerin dhe lojtarët në sezonin e fundit, kur prishtinasit konsideronin se po u bëhej padrejtësi.

Çarja e raporteve në mes të trajnerit vushtrrias dhe klubit prishtinas kishte ndodhur kur prishtinasit kishin kërkuar nga ai garanci për ta fituar titullin e kampionit me përforcimet që do t’i bënin.

Mirëpo, ish-futbollisti i njohur kosovar nuk e ka pranuar këtë lloj kushti, duke vlerësuar se në futboll nuk i dihet kurrë dhe se nuk mund të garantosh asgjë.

Ndërkohë, prishtinasit tashmë duket se e kishin përgatitur terrenin pasi menjëherë pasi njoftuan për ndarjen me Dallkun, e prezantuan trajnerin e ri, Zekirija Ramadani.