Ardian Nuhiu: Këto ndeshjet e para do t’i kalojmë me këta futbollistë, kurse për të tjerat dhe edicionin e ri të përforcohemi

Kampionia e Kosovës në futboll, Drita, të mërkurën në mëngjes ka kryer testet për koronavirus, derisa pak orë më vonë e ka përfunduar edhe stërvitjen e parafundit para udhëtimit drejt Nyonit të Zvicrës. Në Zvicër, Drita shpreson të udhëtojë e kompletuar për në ndeshjen gjysmëfinale të turneut preliminar të Ligës së Kampionëve, që e luan kundër kampionit të Andorrës, Inter d’Escaldes.

Udhëtimin drejt Nyonit, Drita do ta bëjë të premten në mëngjes nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”. Ndeshjen do ta luajë të shtunën nga ora 18:00. Por, me të zbritur në aeroportin zviceran, stafi i Dritës do t’i nënshtrohet edhe një testimi tjetër për koronavirus. Ngjashëm si Drita ka vepruar edhe Prishtina, që është fituese e Kupës së Kosovës. Futbollistët dhe stafi i Prishtinës janë testuar në mëngjes, derisa pasditen e së mërkurës e kanë zhvilluar stërvitjen e parë për ndeshjen parakualifikuese të Ligës së Evropës, që do ta zhvillojë më 20 gusht. Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, shpreson që në dispozicion t’i ketë të gjithë futbollistët për t’u paraqitur sa më denjësisht në Evropë.

“Jemi duke u përgatitur maksimalisht për garat ndërkombëtare. Në mëngjes i përfunduam testet, e po ashtu edhe stërvitjen. E para, shpresoj të jemi mirë të gjithë dhe të mos kemi asnjë mungesë. Stërvitja e fundit do të jetë të nesër (e enjte v.j.). Futbollistët janë mirë edhe me shëndet, por edhe fizikisht. Të tillë pres t’i kem edhe në ditën e nisjes për në Zvicër. Edhe në Zvicër – me sa kam informatë – do të testohemi, por do të fokusohemi maksimalisht për ndeshjen e së shtunës. Kemi analizuar mjaft mirë kundërshtarin dhe mendoj që futbollistët janë gati të bëjnë paraqitje të dinjitetshme dhe të kalojmë tutje. Do të mundohemi që kjo situatë me testet apo mungesat eventuale të mos ndikojë në ekip”, ka thënë Nuhiu për KOHA.

Drita tashmë e ka paraqitur ekipin për ndeshjen kundër Interit. U ka besuar futbollistëve që kanë bartur barrën kryesore në kampionat.

“Në Evropë nuk ka ndeshje të lehta dhe kam kërkuar nga futbollistët që të luajmë si ekip njëri për tjetrin. Kam besim në ekipin tim. Primare ka qenë që ta mbajmë grupin që mendoj se kanë qenë meritorë për suksesin. Kemi dashur ta shtojmë cilësinë, por pandemia na ka vështirësuar punët. Këto ndeshjet e para do t’i kalojmë me këtë grup futbollistësh, kurse për të tjerat dhe edicionin e ri të përforcohemi”, tha Nuhiu.