Arda Turan akuzohet për lidhje me Fetullah Gulen

Karriera e Arda Turan në futboll, mund të mbyllet para kohe.

Të tjera telashe për mesfushorin turk.

Pas dënimit rekord me 16 ndeshje në kampionatin turk ku luan me skuadrën e Basaksehir, ish-mesfushori i Barcelonës u përfshi në një skandal gjatë javës që lamë pas.

Tashmë të rejat rreth tij flasin se prokuroria e Stambollit ka nisur një hetim pikërisht për 31-vjeçarin pasi mbi të ka dyshime se është i lidhur me grupin gylenist që tentoi grushtin e shtetit në vitin 2016.

Arda është duke u hetuar nga drejtësia turke për lidhje me grupin e Fethullah Gulen, i akuzuari kryesor për atentatin që iu bë qeverisë.

Siç raporton e përditshmja turke Hurriyet, prokuroria ka informacione se këta persona mund të kenë ofruar mbështetjen e tyre në organizimin e gylenistëve, lëvizje kjo që pas episodit të shënuar në 2016-ën ku u përfshi edhe ushtria turke, qeveria aktuale e ka kategorizuar si organizatë terroriste.

Në një moment negativ të karrierës, e cila duket se po shkon drejt fundit lojtari i Istanbul Basaksehir rrezikon pikësëpari deri në 12 vite burg për përleshjen e tij në një prej klubeve të natës me këngëtarin Berkay dhe tashmë duhet t’i bëjë llogaritë edhe me akuzat e reja që qeveria duket se po ngre kundrejt tij.