Anduena Rifati vjen nga një familje sportistësh, pa basketboll nuk mund të jetojë

Një nga basketbollistet më të dalluara në basketbollin femëror në Kosovë ishte Anduena Rifati.

Ajo ishte basketbolliste e dalluar e Bashkimit dhe mbrojti edhe ngjyrat e Kosovës. Anduena fitoi disa herë titullin dhe Kupën në Kosovë, si dhe u zgjodh MVP, kurse katër herë është zgjedhur sportiste e vitit në Prizren, si dhe ka marrë çmimin e karrierës.

Si vendose të luaje basketboll?

Unë jam rritur në një familje të frymëzuar nga sporti. Babai im (i ndjerë) Tajar Rifati ka qenë basketbollist, një ndër gjyqtarët e parë të ish-Jugosllavisë dhe Komesar i FBK-së. Nëna ime Hidajete Rifati ka qenë basketbolliste dhe ka marrë pjesë në Ligat Krahinore të ish-Jugosllavisë. Po ashtu motra dhe vëllai kanë kontribuar në basketboll. Kështu që kjo më ka inspiruar që edhe unë t’i bashkangjitem këtij sporti.

Cili ka qenë idhulli yt në fëmijëri?

Idhulli im në basketboll në fëmijëri ka qenë Drazhen Petroviq.

Cili ka qenë trofeu më i rëndësishëm për ty dhe pse?

Trofeu më i rëndësishëm dhe më i ëmbël ka qenë i vitit 1997 (para luftës,) ku pas mëvetësimit të basketbollit kosovar në atë kohë u shpallem kampion, duke mundur Universitetin e Prishtinës në prani të 1 000 shikuesve në terren të hapur në Prizren.

Cilën ndeshje nuk mund ta harrosh asnjëherë?

Ndeshjen që nuk mund të harroj ka qenë finalja e Kupës së Kosovës në Suharekë (viti 2007) kundër Sigal Prishtinës, ku me pikët e mia erdhëm deri te Kupa. Ishte ndeshje e paharruar. Më kujtohet momenti kur mbeten vetëm 17 sekonda dhe mua nuk mu dridh dora dhe shënova në kundërsulm për t’i dhuruar Kupën skuadrës time, ku dhe në atë kohë në media u shpalla heroinë e klubit. Ndeshja përfundoi me rezultat 75:73.

Cila ka qenë kundërshtarja më e vështirë që je ballafaquar?

Për kundërshtare më të vështirë s’mund të apostrofoj dikënd, pasi konkurrenca ka qenë shumë më e fortë se tash, shumica e lojtarëve kanë qenë defensive të mira.

Sa të mungon basketbolli dhe atmosfera nga koha kur ke luajtur?

Çdo sportistit i mungon sporti kur pensionohet, por unë çdo herë jam afër basketbollit, duke i percjellur thuajse të gjitha ligat duke filluar nga Euroliga, Aba Liga, si dhe Superligën e Kosovës, e në veçanti nga afër përcjelli çdo ndeshje të Ponte Prizrenit (si vendas), pasi trajner është vëllai im. Viteve të fundit kam marrë pjesë në turne të basketbollit të organizuara nga Komiteti Olimpik i Kosovës, si përfaqësuese e Bankës TEB ku punoj.

Cili është mesazhi për lojtaret e reja që duan të merren me basketboll?

Mesazhi për basketbollistet është që të merren sa më shumë me sport, të fokusohen në punë dhe vetëm punë, sepse puna është çelësi i suksesit dhe asnjëherë mos të dëshpërohen apo dorëzohen. Nëse të gjitha nuk bëhen basketbolliste, dikush bëhet trajnere, gjyqtare, mbajtëse e statistikës apo çka tjetër që e mban në hap dhe afër me basketbollin.