Aktakuzë për pjesëtarin e ISIS-it

137

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Gjilan, kundër të pandehurit, F. B., për veprën penale: organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist.

Sipas aktakuzës, i pandehuri F.B. nga muaji shkurt 2015 e gjer në dhjetor të vitit 2015, kur është kthyer në Republikën e Kosovës, ka qëndruar në Siri, ku iu është bashkangjitur organizatës terroriste “ISIS”. Fillimisht në Siri, i pandehuri F.B. iu ka nënshtruar trajnimeve teorike dhe praktike për përdorimin e armëve dhe bombës së dorës. Pas përfundimit të trajnimit është ngarkuar me armë zjarri AK 47, katër karikatorë të mbushur nga 30 plumba dhe me uniformë ushtarake pa emblemë.

Andaj me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale: organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist.

Aktakuza është ngritur nga një prokuror vendës i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, i cili i ka propozuar gjykatës që të pandehurin ta shpallë fajtor për veprën e kryer penale dhe ta dënojë sipas ligjit./KosovaPress/