AKP publikon raportet e shitjeve të pronave te Ndërmarrjeve Shoqërore

149

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka publikuar sot raportet e shitjeve për të gjitha pronat e Ndërmarrjeve Shoqërore, si dhe raportet e shitjeve të pronave ku ka pasur uzurpatorë në kohën e përfundimit të shitjes.

Raportet mund te gjenden në adresën www.pak-ks.org, tek kapitulli Raportet.

“AKP dëshiron që përmes këtij njoftimi të rikonfirmoje përkushtimin për ngritjen e transparencës dhe llogaridhënies para opinionit publik për gjithë procesin e privatizimit dhe likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore që është i një rëndësie të veçantë për administrimin në mirëbesim të aseteve në pronësi shoqërore dhe rritjen e vlerës së tyre”, thuhet në komunikatën e AKP-së.

Listat e publikuara do të azhurnohen periodikisht, ndërkaq AKP fton palët e interesit që në rast të vërejtjeve në saktësinë e shënimeve të publikuara, të dërgojnë me shkrim vërejtjet e tyre në zyret rajonale të Agjencisë. Agjencia do të korrigjojë ndonjë lëshim eventual me rastin e publikimit periodik të këtyre listave.

“Agjencia fton të gjitha palët që të përkrahin, ndihmojnë dhe të kontribuojnë në procesin e rritjes së transparencës dhe llogaridhënies që AKP do ta fuqizoj edhe më tej.” /KosovaPress/