Agushi “dhuron” rekordin e ri të botës për humanizëm

126

Agushi është i njohur në botë për goditjet e topit me kokë. Mban shumë rekorde botërore në këtë zhanër, si goditjen e topit duke ecur shkallëve të shumta të ndërtesave, goditjen e topit mbi makinën që lëviz, goditjen e topit për kohën më të gjatë, e të ngjashme, shkruan sot Koha Ditore.

Specialitet i moçëm i tij është edhe goditja e topit teksa vesh e zhvesh fanellat. Këtë e bëri edhe të mërkurën në Prishtinë, duke veshur e zhveshur 50 fanella. Ky ishte rekordi i 18-të i tij botëror dhe më i veçanti, sipas tij, pasi u bë për humanizëm.

Agim Agushi mori duartrokitje të fuqishme nga dhjetëra shikues. Duartrokitjet nuk i kursyen as 50 nxënësit e gjimnazit “Kuvendi i Lezhës” në Viti, të cilët i mbanin fanellat që Agushi duhej t’i vishte dhe t’i zhvishte derisa vazhdimisht godiste topin me kokë për të thyer rekordin botëror.

Për Agushin, ky rekord i ri botëror ishte edhe më i veçanti. Ai këtë rekord ua ka dedikuar fëmijëve me sindromën down dhe autizëm. Profesori i matematikës nga Vitia, këtë arritje e regjistroi të mërkurën në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë.