AGK: Kryeministër kërkojë falje gazetarit Vehbi Kajtazi

131

Gazetarë të shumtë u mblodhen sot para Qeverisë së Kosovës në mbështetje të fjalës së lirë në Kosovë. Me moton “Fol shlirë mos u tut”, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës përmes një proteste, ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa t’i kërkojë falje publikisht gazetarit, Vehbi Kajtazi për kërcënimet që sipas tyre, i ka bërë kryeministri përmes një telefonate në viber.

Kryetari i AGK-së, Zekirja Shabani tha se Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës kërkon nga kreu i Qeverisë, Isa Mustafa që të kërkojë falje publike dhe të sqaroj pozicionin e tij në raport me akuzat e ngritura për kanosje ndaj kolegut të tyre.

Sipas tij, shkaktarë për këto kërcënime dhe sulmet ndaj gazetarëve është edhe mos efikasiteti i punës së gjykatave, ku vetëm në vitin 2015 kanë ndodhur 27 sulme të gazetarëve, ndërsa, këtë vit një kolegë i tyre është sulmuar me shufra hekuri.

Gazetari Vehbi Kajtazi, i cili pretendon se është kërcënuar nga kryeministri, Isa Mustafa kërkon nga Policia dhe Prokuroria që t’i kryejnë hetimet në mënyrë të pavarur dhe të vërtetohen kërcënimet që janë bërë nga kreu i vendit.

Mos distancimi nga një akuzë e tillë që është bërë publike qe dy ditë përbën kërcënim të vazhdueshëm për punën dhe jetën e gazetarëve të tjerë tha kryetari i AGK, Zekrija Shabani, i cili theksoi se nëse kryeministri nuk kërkon falje, ata do të vazhdojnë të kërkojnë këtë gjë edhe në të ardhmen.

Sipas raportit të organizatës ndërkombëtare “Freedom House”, Kosova dhe Shqipëria radhitet në mesin e vendeve pjesërisht të lira edhe për vitin 2015. Në të njëjtën kategori janë edhe vendet e rajonit si Maqedonia, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina. Serbia kësaj radhe është përfshirë në mesin e vendeve të lira.

Kosova sa u përket të drejtave politike ka marrë notën 3 nga 4, sa ishte një vit më parë, ndërsa për liritë civile, vlerësimi është i pandryshuar në 4. Sipas po të njëjtit raport, Kosova, Bosnja dhe Maqedonia përmenden si vende që janë përballur me qeverisje jofunksionale./KosovaPress/