Afat i ‘lodhët’ në Superligën e Kosovës

Klubet kosovare nuk po e kanë të lehtë që të gjejnë futbollistë cilësor në afatin kalimtar të dimrit që tashmë ka nisur.

Derisa shumica e lojtarëve vendor janë me kontrata, klubet po e gjejnë shpëtimin në vendet e rajonit.

‘Kampion’ me transfere deri më tash është KEK-u me gjashtë transfere.

Bekim Isufi dhe Muhamet Dragusha vlerësojnë se klubet do të hasin në vështirësi.

Afati kalimtar dimëror në Superligën e Kosovës në futboll ka filluar më 1 janar dhe do të mbyllet në ditën e fundit të këtij muaji (31 janar).

Klubet kosovare po e kanë problem që të gjejnë futbollistë në Kosovë pasi që shumica e tyre janë me kontrata.

Ekipet e Superligës e kanë ‘hedhur’ grepin në rajon, kryesisht në Shqipëri ku po kërkojnë transfere.

Stinorin vjeshtor në kampionatin elitar kosovar e dominoi Prishtina, e cila e përfundoi këtë fazë në vendin e parë në tabelë me 40 pikë të grumbulluara, duke lënë pas skuadrat si Feronikeli dhe Llapi.

Por, trajneri i kryeqytetasve, Mirel Josa, ka thënë se përforcimet në këtë mini-afat janë tejet të vështira që të ndodhin, dhe se sipas tij, klubi duhet të jetë i kujdesshëm.

Prishtina tashmë i ka filluar përgatitjet për stinorin pranveror dhe deri më tani nuk e ka zyrtarizuar ndonjë blerje, por gjatë ditës së enjte, ka njoftuar për largimin e Përparim Osmanit në huazim drejt Dritës.

Nga ana tjetër, pretendenti tjetër për titull, Feronikeli, deri më tani, ka larguar katër lojtarë në huazim drejt Drenicës, por që ende nuk e ka marrë ‘guximin’ që ta bëjë ndonjë transferim.

Padyshim, skuadra më e përforcuar e këtij afati është KEK-u, që ka transferuar gjashtë lojtarë, derisa Ballkani ka realizuar pesë transfere.

Keq nuk ka mbetur as Llapi, pasi që klubi nga Podujeva deri më tani ka afruar katër lojtarë, teksa ka larguar pesë sosh.

Isufi: Vështirë për lojtarë cilësorë

Bekim Isufi, trajner i njohur kosovar, në një prononcim për gazetën “Zëri” ka thënë se në këtë mini-afat, është e vështirë të gjenden lojtarë cilësor.

“Afat i kushtëzuar. Do të jetë e vështirë që klubet të gjejnë lojtarë cilësor, pasi të gjithë janë nën kontrata me klubet e tyre përkatëse. Ndoshta në këtë afat, Prishtina, Feronikeli dhe Llapi kanë më së paku nevojë të përforcohen pasi kanë një fond të mjaftueshëm të lojtarëve”, ka deklaruar Bekim Isufi të enjten.

“Për fund, nuk besoj se do të ketë përforcime ‘bombastike’’, theksoi Bekim Isufi.

Dragusha: Në Kosovë s’ka lojtarë cilësor

Mini-afatin kalimtar dimëror e ka diskutuar edhe Muhamet Dragusha, sipas të cilit, klubet që synojnë titullin, do ta bëjnë të pamundurën që të sjellin lojtarë cilësor nga Shqipëria apo nga ndonjë vend tjetër.

“Shpresoj se do të ketë transferime nga klubet që luftojnë për titull dhe klubet që luftojnë për mbijetesë, ndërsa klubet që janë në mes të tabelës, besoj se qëndrojnë mirë dhe nuk kanë synime të mëdha”, vlerësoi Muhamet Dragusha.

Tutje, ish-futbollisti i mirënjohur kosovar i cili gjatë karrierës së tij ka luajtur edhe në disa kampionate të huaja, theksoi se klubet do të koncentrohen në rajon për transfere.

“Tri klubet e para në tabelë besoj se do ta bëjnë të pamundurën që të sjellin lojtarë cilësor nga Shqipëria apo nga ndonjë vend tjetër, por jo edhe nga Kosova’’, u shpreh Dragusha për gazetën “Zëri’’.

Asnjë transfer zyrtar

Gazeta Zëri mëson se deri më tash, asnjë klub nuk e ka paraqitur asnjë futbollist në Federatën e Futbollit të Kosovës.

Transferimet e paraqitura nga klubet e Superligës deri më tani

Prishtina

Ardhje:

Largime: Përparim Osmani

Gjilani

Ardhje: Shpend Asani, Vilson Lila, Klejdi Koçi, Semir Hadzibulic

Largime: Mauricio Marinho, Trevin Caesar, Brunild Pepa, Kujtim Dubova, Ergon Hyseni, Edon Sadriu

Ferizaj

Ardhje:

Largime: Ivan Istatova, Bunjamin Asani, Dren Gashi

Ballkani

Ardhje: Aidoo Joseph, Bledar Hajdini,  Visar Sahiti, Tarik Cmajcan, Edvin Kuc

Largime: Liridon Kukaj, Qëndrim Sejdiu, Berat Hyseni, Durim Gashi, Egzon Shabani

Drita

Ardhje:

Largime: Eri Lamçja, Arbër Shala, Edenilson Bergonsi

Flamurtari

Ardhje: Melos Zenunaj, Shend Kelmendi, Angel Granchov

Largime: Shqipdon Ademi, Akil Makolli

KEK-u

Ardhje: Isa Eminhaziri, Besart Dushi, Enis Zabërgja, Egzon Qerimi, Drin Hodaj, Amir Prishtina

Trajner: Alban Dragusha

Largime:

Trepça ’89

Ardhje:

Largime: Victor Hugo Golas, Dardan Çerkini, Stojance Velinov, Antonio Bujcevski

Llapi

Ardhje: Elvis Prençi, Flamur Bajrami, Rron Statovci, Miran Maksuti

Largime: Aidoo Joseph, Bledar Hajdini, Dardan Jashari, Alban Rexhepi, Ermal Krasniqi, Egzon Abazi

Drenica

Ardhje: Argjend Bardhi, Diar Prokshi, Nicolas Andreës, Prince Balde

Largime: Drin Hodaj, Vigan Rexhaj, Isa Eminhaziri

Liria

Ardhje:

Largime: Muhamed Berisha

Feronikeli

Ardhje:

Largime: Argjend Bardhi, Diar Prokshi, Nicolas Andreës, Prince Balde (huazime).