AAK: Si ka mundesi te sulmohet ndertesa e cila ruhet nga Policia

88
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka reaguar për sulmin në zyrat e Presidencës së Kosovës, duke e quajtur këtë sulm si akt kriminal dhe të dënueshëm.

AAK kërkon nga Qeveria e Kosovës që të mos paragjykojë kryesit e mundshëm të këtij akti, ku e kane quajtur të papranueshëm faktin se si është sulmuar ndërtesa që ruhet nga policia.

“Sulmi i sotëm mbi ndërtesën e Presidencës, është një akt kriminal, i dënueshëm dhe kërkon ndërhyrjen urgjente të organeve të rendit për zbardhjen e tij. Është krejtësisht e papranueshme, se si sulmohet ndërtesa e një institucioni të lartë të vendit, që presupozohet të jetë e vëzhguar me kamera dhe e ruajtur nga policia. Institucionet e rendit dhe të ligjit duhet ta bëjnë punën e tyre dhe ta zbardhin këtë akt kriminal, sa më shpejt të jetë e mundur, dhe t’i identifikojnë sulmuesit, dhe të njëjtit t’i nxjerrin para drejtësisë dhe t’i bëjnë të njohur për opinionin publik”, thuhet në reagimin e AAK-së.

Sipas AAK-së, Qeveria e vendit, është mirë që të mos paragjykojë kryesit e mundshëm të këtij akti qyqar, dhe të mos provojë që këto sulme kriminale, t’i përdorë për të justifikuar dështimet e veta. Për më tepër ta akuzojë.

“Për më tepër ta akuzojë Opozitën për kauza fiktive. Kauza “fiktive” e Opozitës ka rezultuar të jetë shkelje flagrante e Kushtetutës, nga kryeministri i vendit dhe partnerët e tij. Prandaj sulmi i sotëm është një akt kriminal dhe duhet të trajtohet si i tillë. Përpjekjet për t’i dhënë këtij akti banditesk dimensione politike, pa u gjetur akterët dhe motivet e tij, i konisderojmë një tjetër sulm mbi stabilitetin e vendit”, përfundon reagimi i AAK-së.