AAK: Qeveria e LDK-ja mos ta luajne rolin e viktimes sa here qe ndodhin sulme

106

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), nëpërmjet një komunikate, ka kërkuar nga kryeministri që të tregojë se kush e sulmoi presidencën me Molotov në orët e hershme të mëngjesit.

“Sigurisht se Kryeministri i Kosovës është i vetmi kryeministër në Botë, që nuk e ka problem të shndërrohet edhe në prokuror, edhe në polic edhe në gjyqtar. Qeveria që ai kryeson, por edhe partia e tij, janë të vetmet që i dijnë sulmuesit e akteve kriminale, siç ishte edhe ky i sotmi në ndërtesen e Presidentes, ende pa u identifikuar as policia”, thuhet në komunikatë.

Sipas AAK-së, është detyrë e kryeministrit dhe e partisë së tij, që informatat t’i çojnë në Polici e jo ta helmojnë opinionin me lloj-lloj hipotezash.

“Ndërtesa e Presidentes survejohet me kamera dhe ruhet 24 orë nga policia dhe sigurimi i ndërtesës, prandaj edhe nuk do të duhej të ishte vështirë të zbuloheshin sulmuesit”, thuhet në komunikatë.

AAK thotë se nuk po e drejton gishtin as nga LDK e as nga PDK, si autorë të mundshëm të këtij sulmi, pavarësisht dyshimeve që po i ngrehin të tjerët.

“Prandaj as Qeveria e as LDK-ja, nuk duhet ta luajnë rolin e viktimës sa herë që ndodhin sulme të tilla! Ata duhet të ndihmojnë në zbardhjen e rastit, nëse kjo nuk iu shkakton dëm atyre, e jo të merren me teori konspirative”, thuhet tutje.

“Nuk është në natyrën e AAK-së, të merret me punë të pista e me sulme të dyshimta, por ajo është e vendosur t’a luftojë këtë keqqeverisje e cila tashmë është identifikuar edhe si shkelëse e Kushtetutës. Prandaj Qeveria dhe Kryeministri, është më mirë të merren me gabimet e veta e ta sqarojnë popullin, se sa ta luajnë rolin e viktimes e të trillojë kërcënime të paqena nga intervistat televizive. Veprimet AAK-së janë publike e jo pas shpine, dhe ato i kemi manifestuar në vazhdimësi, siç do të bëjmë edhe me 26 mars, aty ku do të jemi të gjithë.”