A është pajtuar Prishtina me pakon e "DigitAlb-it"?

257

Prishtina ende nuk ka vendosur përfundimisht nëse do t’i bashkohet pakos së DigitAlbit për të drejtat televizive, pasi ka kërkuar që shuma të mos jetë e njëjtë për të gjitha klubet.

Në takimin e sotëm, kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri, u ka propozuar klubeve metodën e vjetër – ndarjen e parave në mënyrë të barabartë, pra nga 12 mijë e 500 euro nga shuma e përgjithshme prej 150 mijë eurove.

Por, kryetari i Besës, Shemsedin Muhaxheri, ka kërkuar nga FFK-ja t’i sigurojë edhe 30 mijë euro, në mënyrë që klubeve t’u shpërndahen rrafsh nga 15 mijë euro.

Presidenti i klubit më të madh kosovar, Remzi Ejupi, thotë se 15 mijë eurot nga të drejtat televizive nuk do t’i kryejnë asgjë punë FC Prishtinës.

Por, ai çuditet me interesimin e vogël të televizioneve për t’i blerë të drejtat televizive të Superligës shtetërore, tashmë të njohur edhe nga UEFA.

“Ky është realiteti ynë. U mbështet propozimi që të gjitha klubeve t’u ndahen nga 15 mijë euro, edhe pse FC Prishtinës i mbetet ta diskutojë në bord, sepse jemi shoqëri aksionare”, tha presidenti i FC Prishtinës, Remzi Ejupi, i cili shpreh keqardhje për shumën e vogël që duhet ta pranojnë klubet, shkruan Zëri.

“Kaq ka qenë shuma dhe nuk ke se çfarë të bësh. Televizionet tona, sidomos Televizioni Publik i Kosovës, nuk janë të interesuar ta ndihmojnë dhe ta mbështesin futbollin dhe sportin. Ato më shumë janë të interesuara të blejnë seriale turke e spanjolle, sesa Superligën shtetërore të futbollit, dhe kjo është absurde, sidomos për një televizion publik”, u shpreh ai.