A do të marrin premio futbollistët e Dritës në rast të fitores ndaj Sileksit?

Drita e Gjilanit do t’i rikthehet nesër (e enjte) garave evropiane me një përballje të “nxehtë” në Shkup të Maqedonisë së Veriut.

Skuadra që drejtohet nga Ardian Nuhiun do të përballet me Sileksin me fillim nga ora 20:00 në kuadër të rundit të dytë eliminator të Ligës së Evropës.

Ndeshja do të zhvillohet në arenën kombëtare “Todor Proeski” në Shkup.

Një ditë para ndeshjes, “Zeri.info” e ka kontaktuar drejtorin sportiv të Dritës, Valon Zymberi.

Zymberi ka deklaruar se atmosfera që po mbretëron te kampi i klubit gjilanas para ndeshjes është mjaft e mirë.

Një ditë para ndeshjes, Zymberi ka zbuluar se ende nuk është vendosur nëse futbollistët do të marrin premio në rast të kualifikimit tutje.

“Ndeshja është nesër, kështu që ende nuk e kemi menduar punën e premiove”, deklaroi Valon Zymberi.

Ndryshe, fituesi i kësaj ndeshje do të përballet me Legian e Varshavës në Poloni.