A do të jetë i gatshëm Arturo Vidal për ndeshjen me Real Madrid

Një ditë më parë u raportua se mesfushori kilian i Bayern Munchen, Arturo Vidal, kishte pësuar një lëndim dhe menjëherë filluan të qarkullojnë pikëpyetjet lidhur me paraqitjen e tij në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve kundër Real Madrid.

Fillimisht nuk ishte e qartë për mediat se për çfarë lëndimi bëhej fjalë, por tani është kuptuar nga një deklaratë e trajnerit Jupp Heynckes, se bëhet fjalë për një përndrydhje të gjurit.

“Do të operohet, pasi ka pësuar një përndrydhje të gjurit, pa asnjë kontakt”, ishte deklarata e trajnerit Heynckes.

Megjithëse Heynckes në një prononcim për media, nuk e përjashtoi Vidal nga ndeshja kundër Real Madrid, duke thënë fillimisht se ai do të jetë i gatshëm, ai pastaj ndryshoi deklaratën e tij duke potencuar se Vidal është një luftarak dhe që ai beson se kiliani do të rikuperohet shpejt.

Arturo Vidal gjatë këtyre ditëve do të operohet për problemin e tij në gju, me të cilën kishte pasur probleme edhe më herët, pasi ishte operuar në të njëjtin në vitin 2014.

Marrë parasysh se ndeshja e parë është luhet të mërkurën e ardhshme më 25 prill, shpresat janë të vogla që kiliani do të arrijë të rikuperohet aq shpejt pas operacionit.

Mirëpo, trajneri Jupp Heynckes, mban gjallë besimin se mesfushori 30 vjeçar së paku do të jetë i gatshëm për ndeshjen e dytë kundër Real Madrid, e që zhvillohet më 1 maj në “Santiago Bernabeu”.