A do ta refuzojë Prishtina sërsish pakon e "DigitAlb-it"?

286

Tashmë Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ia ka shitur “Digitalbit” për 150 mijë euro të drejtat televizive të Superligës së Kosovës për edicionin e ri. Sipas FFK-së, fituesi i të drejtës televizive ishte ofertues më i mirë sesa “Klan TV” dhe RTK-ja, për të cilat ende nuk është bërë e ditur se nga sa para i kanë ofruar.

FC Prishtina ishte e vetmja në edicionin e kaluar që nuk kishte pranuar të bëhet pjesë e pakos, pasi përpos që ka shprehur pakënaqësi me çmimin e shitjes së të drejtave televizive, as që dëshironte të dëgjojë për të pranuar që ato para t’i ndaheshin njësoj si të gjitha klubeve tjera. Dhe, bardhekaltrit mund të refuzojnë sërish nëse nuk ndryshon mënyra e ndarjes së parave.

“Sa i përket çmimit të shitjes së të drejtave televizive vërehet se është shumë i ulët dhe jemi të bindur se Superliga meriton më shumë. Ndërsa, sa i përket ndarjes së mjeteve nga shitja e tyre, sigurisht se Bordi i klubit do të diskutojë dhe do ta analizojë situatën e me kohë do të marrë vendim të duhur”, thotë zëdhënësi, Avni Durmishi për Zërin.

“Deri më tani FC Prishtina nuk është konsultuar nga askush rreth kësaj çështjeje. Ne gjithmonë i kemi pasur vërejtjet tona rreth ndarjes së mjeteve, kështu që shpresojmë se kjo çështje të zgjidhet njëherë e mirë dhe të mos vijë puna deri te refuzimi nga ana e klubit tonë, sepse nuk mund të lejojmë të na hyhet në hak”, tha ai.

Durmishi thotë se Kosova tani është anëtare e UEFA-s dhe trendet evropiane duhet të ndiqen edhe nga kosovarët.

Edhe Feronikeli kërkon që shuma e parave të mos ndahet njësojë. “Nuk ka dyshim, kjo çështje duhet të rregullohet. Duhet të ketë dallime, sepse nuk është korrekte që një klub kampion apo nënkampion të marrë para njëjtë me një klub që bie nga Superliga”, thotë drejtori Artan Berisha.