9 deputetë të arrestuar e 18 të përjashtuar nga Kuvendi

86

Seanca e Kuvendit të Kosovës, pas rezistencës së deputetëve të opozitës për të penguar zhvillimin e saj, rezultoi me 9 arrestime në radhët e tyre si dhe me përjashtimin e 18 të tjerëve. Deputetja Albulena Haxhiu bile ka pësuar lëndime – ajo është alivanosur pas përplasjes me policinë dhe është dërguar në spital për kujdes mjekësor.

Deputetët e arrestuar janë Rexhep Selimi, Mytaher Haskuka, Fisnik Ismaili, Shqipe Pantina dhe Besa Baftiu të Vetëvendosjes, Donika Kadaj – Bujupi, Teuta Haxhiu dhe Pal Lekaj nga AAK, dhe Enver Hoti nga Nisma.

Opozita përdori metodat e hedhjes së gazit lotsjellës gjatë seancës, por pamundësimi i seancës qe i parealizueshëm. Policia e Kosovës kishte rrethuar si Kuvendin, kishte edhe një prezencë të madhe të saj brenda Kuvendit dhe sallës ku mbahen seancat. Seanca u zhvillua dhe u diskutuan temat e parapara në agjendë.

Deputetët u larguan dhunshëm nga salla e Kuvendit. Ndërkaq, 18 deputetë u përjashtuan nga seanca. Deputetët e përjashtuar pohojnë se atyre nuk iu prezantua asnjë urdhër me shkrim për largim. Sipas njoftimit të Kuvendit, një vendim të tillë e ka marrë kryetari Veseli në bazë të nenit 67.7 të Kushtetutës dhe nenit 41, paragrafi 3, pika c të Rregullores së Kuvendit.

Gjatë seancës deputetët opozitarë hodhën 3 herë gaz lotsjellës. Përkundër kësaj, Kuvendi më pas, pas largimit të tyre, e vazhdoi seancën.